Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe Transparency International Kosova (TIK), kanë mbajtur konferencë për medie në të cilën u publikua “Indeksi i perceptimit të korrupsionit 2019” për Kosovën, raporton Ekonomia Online.
Sipas këtij raporti Kosova sivjet radhitet në vendin e 101 në luftën kudër korrupsionit, duke shënuar kështu rënie.
Arben Kelmendi nga KDI-ja, tha se prej 180 vendeve që marrin pjesë në këtë vlerësim, Danimarka vazhdon të radhitet e para edhe këtë vit me një pikë më pak se vitine kaluar 87 pikë sa ka edhe Zelanda e Re.
Vendin e tretë e mban Finlanda me 86 pikë pasuar nga , Singapori, Suedia dhe Zvicrra me 85 pikë.
Florent Spahija nga KDI, deklaroi se Kosova me 36 pikë sivjet ka humbur edhe një pikë në sistemin e vlerësimit të CPI, nga 37 sa kishte më 2018 në 36 pikë, dhe si rrjedhojë ka rënë nga pozita e 93-të në atë të 101-të.
“Këtë pozitë Kosova e ndanë me Bosnjën, Panamanë, Perunë dhe Tajlandën. Me 36 pikë Kosova largohet edhe më tej nga mesatarja globale prej 43 pikësh, përderisa mesatarja evropiane shënon rritje në 66 pikë”.
“Rangimi i dobët i Kosovës në Indeksin e sivjetmë i atribuohet kryesisht institucioneve të brishta të sundimit të ligjit, nivelit të lartë të mosndëshkueshmërisë së rasteve të korrupsionit, mungesës së llogaridhënies së zyrtarëve publikë, transparencën e pamjaftueshme dhe ngushtimin e hapësirës për pjesëmarrje qytetare”, ka shtuar ai.
Sipas Spahisë, një gjetje tjetër interesante nga krahasimi i rezultateve për vendet e rajonit tregon se i tërë rajoni po kalon nëpër një periudhë stagnimi dhe asnjë nga shtetet e rajonit nuk ka shënuar ngritje në krahasim me vitin e kaluar.
Sipas tij, kapja e shtetit përbën njërën prej pengesave kryesore në luftimin e korrupsionit dhe vendosjen e drejtësisë.
Ndërsa lidhur me atë se Tranmety internacional e ka cilësuar VV-në si parti që do ta luftojë korrupsionin është shprehur se në këtë raport thuhet VV-ja e ka shansin ta dëshmojë se është parti që do t’i prijë luftës kundër korrupsionit.
“Kjo ka qenë një përpjekje e Transparency International Kosova për një raport sa më të freskët, ka përmend fitoren e VV-së si një shans për VV-në, tani i mbetet asaj t’i prij luftës kundër korrupsionit”.
Sipas KDI, Kosova duhet të fokusohet urgjentisht në tre fusha në mënyrë që të shënojë përparim:
Pavarësinë e sistemit të drejtësisë. -ndërhyrjet politike në punën e gjyqësorit po minojnë pavarësinë dhe punën profesionale të drejtësisë kosovare.
Luftën kundër korrupsionit -Përkundër ndryshimeve të fundit të legjislacionit, krijimit të grupeve punese dhe mekanizmave përcjellës për krimet e nivelit të lartë të korrupsionit luftimi i korrupsionit vazhdon të mbetet njëra nga sfidat kryesore të shoqërisë kosovare.
Institucionet vendore nuk duhet të vetëmjaftohen nga sinjalet pozitive të institucioneve të BE-së për progresin e shënuar në këtë fushë. Të gjitha hulumtimet serioze flasin për nivele të larta të nepotizmit, punësimit në baza partiake, emërimeve politike në borde të ndërmarrjeve publike etj.
Në fushën e prokurimit publik kërkohet ngritja e transparencës në të gjitha fazat e procedurës së prokurimit, hapja e kontratave (kontratat për autostradat: “Ibrahim Rugova”, “Arbën Xhaferi” si dhe ajo e Gjilanit), menaxhimi i mirëfilltë i kontratave publike dhe ngritja e nivelit të llogaridhënies së zyrtarëve publik.