Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në bashkëpunim me Drejtorinë për Hulumtime Parlamentare, Arkiv dhe Bibliotekë të Kuvendit të Kosovës, ka organizuar tryezën me temën “A ka nevojë Kosova për një ligj për mediet?”.
Zekirja Shabani, hulumtues i jashtëm, tha se Komisioni Parlamentar për Administratë Publike ka marrë një nismë për formimin e një ligji për media, i cili tenton ta përmirësojë fushën e lajmeve të rrejshme, raporton Ekonomia Online.
“Përmes këtij ligji ky komision tenton të rregullojë fushën më problematike në gjithë botën. Krahasimi i Kosovës me vendet tjera paraqitet sfidues për shkak të gjendjes së ndryshme në terren. Liria e shprehjes dhe informimit në Kosovë është e shprehur dhe e lejuar edhe me kushtetutë. Edhe korniza ligjore për shpifje është në harmoni me praktikat e BE-së. Në Kosovë përveç këtyre ligjeve janë dy institucione vetërregulluese; është Komisioni i Pavarur i Mediave dhe Këshilli i Mediave të Shkruara”.
Muja Ferati, kryetar i Komisionit të Pavarur për Media, tha se KPM-ja është kompetente për të nxjerrë akte nënligjore që rregullojnë fushën e medies, raporton EO.
“Politika e transmetimit të KPM-së është në përputhje me standardet e transmetimit dhe të drejtat e njeriut, duke respektuar demokracinë. Te ne nuk është i rregulluar ligji për t’i mbuluar të gjitha fushat. KPM-ja do të jetë institucion kompetent në implementimin e ligjeve të veçanta”.