Pozita dhe opozita “zbusin” qëndrimet për ligjin për mediat

Prishtinë | 08 Maj 2018 | 16:35 | Nga

Shumica dhe opozita i zbusin qëndrimet në lidhje me ligjin e ri të mediave. Për dallim nga dje kur gjatë shqyrtimit të amendamenteve në komision i drejtoheshin njëri tjetrit me nervozizëm dhe akuza, sot të dy palët shprehen më optimiste për shqyrtimin e amendamenteve të propozim-ligjit për media.
Ministri i Shoqërisë Informatike Damian Mançevski shpreson që VMRO-DPMNE-ja të jetë konstruktive dhe të mos përsërisë taktikën e bllokimit të ligjeve me replika dhe fjalime.

“Opozita ka pasur një përvojë të tillë negative për vetë ata, kur mundoheshin që të zvarrisnin proceset me replika mes vete, por tani nuk po ndodh bash ashtu. Tani nuk është ashtu taktika sepse po ajo taktikë tanimë u ka rënë njëherë në kokë. Në rregull, kishte debat ditën e parë nuk dua që të flas para kohe, le t’i japim shans procesit, të enjten do të vazhdojmë me debat në Komision dhe do të shohim se sa me të vërtetë jemi të sinqertë në atë atë që e flasim” – u shpreh Damian Mançevski, Ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës.

VMRO-DPMNE-ja pohon vazhdën e bisedimeve për arritjen e një kompromisi mes opozitës dhe pushtetit por nuk theksojnë se cilat pika janë të papranueshme për ta. Nuk dihet nëse VMRO-DPMNE-ja do të vazhdojë të stërzgjatë shqyrtimin e amendamenteve siç bënë në seancën e djeshme të Komisionit për Transport dhe Lidhje.

“Pyetje me vend. Konsultimet mes partive vazhdojnë. Do të informoheni me kohë. Ju ftojë që të ndiqni procedurat e mëtutjeshme parlamentare” – tha Naum Stoillkovski, Zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Për Propozim ligjin për media ishin parashtruar gjithsej 81 amendamente, por VMRO-DPMNE-ja pas bisedimeve me LSDM-në, tërhoqi gjashtë amendamente. Pas refuzimit të amendamentit të parë të propozuar dje nga VMRO-DPMNE-ja, kjo e fundit tërhoqi edhe një amendament që ishte i lidhur me amendamentin e parë. Seanca e djeshme e komisionit parlamentarë përfundoi në atmosferë jo të mirë, ndërsa për ditën e enjte është caktuar vazhdimi i shqyrtimit të 73 amendamenteve të mbetura. LSDM gjithashtu ka parashtruar 10 amendamente, ndërsa dy ka parashtruar BDI-ja. Dallimet më të theksuara mes opozitës dhe shumicës, mësohet të jenë në zgjedhjen e anëtarëve të rinj të këshillit të RTVM-së dhe Agjencisë së Mediave./Alsat-M

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme