Kosova s’përfitoi nga MSA-ja, shkak joserioziteti i institucioneve

Prishtinë | 29 Tet 2019 | 11:48 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ka katër vjet që Kosova ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA), por për njohësit e ekonomisë ujdia e parë kontraktuale me Bashkimin Evropian (BE) nuk është shfrytëzuar aq sa duhet nga institucionet përgjegjëse.

Ata thonë se institucionet kosovare nuk ka arritën t’i shfrytëzojnë benefitet nga kjo marrëveshje, përshkak të joseriozitetit të tyre.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, në një intërvistë për EkonomiaOnline, ka thënë se Kosova nuk e ka shfrytëzuar këtë marrëveshje për faktin se autoritetet kosovare nuk e kanë marrë me seriozitet këtë marrëveshje.

“Po është mase e vërtetë në qoftë se bëhet një analizë e thuktë të partneritetit me Bashkimin Evropian është forcu në forma të ndryshme mirëpo kulmimi i partneritetit është zyrtarizuar përmes marrëveshje për arsim dhe stabilizim, një marrëveshje që duhet të analizohet në disa dimensione, qoftë në dimensionin ekonomik, politik, integrues, social dhe promovues. Për fat të keq nuk është shfrytëzuar një mundësi e dhënë nga BE-ja përmes këtij partneriteti, nga vet fakti që në Kosovë nuk e kanë marrë këtë mundësi me një seriozitet”.

“Në rend të parë është një përkushtim profesional, një disiplinë dhe një sundim të rendit dhe ligjit dhe mbi të gjitha aty ku kuptohet që rrugëtimi drejtë familjes evropiane nuk duhet të analizohet vetëm nga dimensioni politik por edhe ato ekonomike dhe në këtë drejtë, marrëveshja për stabilizim asocim, ka qenë një mundësi që vërtetë nuk është shfrytëzuar”, ka thënë Gërxhaliu.

Ish-numri një i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), ka treguar se cili do të ishte përfitimi i Kosovës në rast se kjo marrëveshje do të funksiononte siç duhet.

“Cili kish me qenë përfitimi kryesor i Kosovës po të ishte kjo marrëveshje në funksion, me siguri hapi i parë kish me qenë që do të përmirësohej imazhi i Kosovës përballë investitorëve të huaj, hapja e mundësisë për sektorin biznesor në Kosovë për të depërtuar në treg shumë të gjerë dhe e tëra kësaj në vete ngërthen ndërkombëtarizimin e ndërmarrësisë kosovare përmes standardizimit, certifikimit dhe shumë sfidave të tjera, por në Kosovë për fat të keq është aq keqkuptu kjo marrëveshje saqë kur dëgjon politikanët kosovarë, e ke fituar një bindje që Evropa duhet të integrohet në Kosovë e jo e kundërta dhe pasojat po i vuajnë qytetarët dhe sektori privat”.

“E para kish me gjenerua një stabilitet politik përmes zhvillimit ekonomik sepse ky zhvillim ekonomik kish me u arrit përmes forcimit të sektorit privat. Vet fakti që po hapet një treg me qindra milionë konsumatorë është një mundësi e pashfrytëzuar dhe në këtë drejtim duhet të kuptohet nuk mund të mendohet që shteti do të arrijë stabilitet social pa zhvillim ekonomik dhe ajo çka është më interesante nuk do të përshpejtohet imazhi i Kosovës pa zhvillim ekonomik”, ka thënë ai për EO.

Erëza Pula nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLSP), thotë se shteti i Kosovës nuk ka arritur t’i shfrytëzoj benefitet nga kjo marrëveshje. Thotë se vetëm në vitin 2018, kjo marrëveshje është implementuar në 64 për qind.

“Përveç vitit 2018 ku institucionet kanë ndoshta treguar një gatishmëri më të madhe për t’i përmbushur masat e dala nga kjo marrëveshje, ku përqindja e zbatimit ka qenë rreth 64 për qind, ashtu siç e kemi vlerësuar ne në GLPS. Vitet tjera paraprake, viti 2016 dhe 2017, ka pasur një përqindje shumë të ultë të zbatimit të kësaj marrëveshje. Gjatë monitorimit të saj, ne si GLPS, kemi identifikuar disa pika kryesore të cilat kanë penguar realizimin e këtyre masave”.

“Gjatë këtyre viteve ende nuk janë mbushur katër vite të zbatimit të MSA-së, një ndër problemet kryesore që kemi hasur ka qenë edhe mungesa e konsensusit politik, këtë e kemi parë në zbatimin e shumë masave sidomos asaj legjislative. Pra kjo është parë së fundmi edhe me ligjin për financimin e partive politike, ligji për qeverinë. Problem tjetër ka qenë edhe aftësia e ulët e institucioneve për hartimin e këtyre masave, gjë që pastaj ka dëmtuar edhe procesin e implementimit të agjendës së paraparë legjislative”, ka thënë ajo për EO.

“Marrëveshja e Stabilizim Asociimit siç dihet është nënshkruar në nëntor të vitit 2015 edhe pse implementimi i saj ka filluar disa muaj më vonë. Si marrëveshje njihet marrëveshje e parë kontraktuale në mes të BE-së dhe Kosovës. Përveç disa përfitimeve që i kemi pasur si shtet nga kjo marrëveshje mund të themi se Kosova në përgjithësi nuk ka arritur t’i shfrytëzoj benefitetet si ekonomike po ashtu edhe politike që rrjedhin nga kjo marrëveshje, gjithashtu nuk ka arritur ta përdorë MSA-në si një marrëveshje kyçe në mes të proceseve integruese evropiane dhe duke e mos arritur t’i bëjë këto, gjithashtu ka dëmtuar edhe imazhin karshi procesit të integrimit evropian si dhe në çdo raport të BE-së”, ka thënë ajo.

Më 27 tetor të vitit 2015 Kosova ka nënshkruar në Strasburg Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian (BE).

Kjo marrëveshje u cilësua e një rëndësie historike për integrimin politik, ligjor dhe ekonomik të Kosovës në BE.

Të ngjashme