Kosova synon medalje të reja këtë javë në Izrael

Prishtinë | 17 Shk 2021 | 14:53 | Nga Ekonomia Online

Kosova do të kërkojë ta rrisë numrin e medaljeve në xhudo, në Grand Slamin e Tel Avivit, gjatë kësaj jave.

Majlinda Kelmendi, Laura Falziu dhe Akil Gjakova do ta përfaqësojnë Kosovën në Grand Slamin e Izraelit të enjten dhe të premten, raporton Gazeta Express.

Synimi i ekipit kosovar të xhudos është ta përsërisë suksesin e muajit të kaluar, kur i fitoi katër medalje në Mastersin e Dohas.

Kampionia e artë olimpike Kelmendi do ta kalojë rrethin e parë pa luftë në kategorinë 52 kilogramë, ndërsa në rundin e dytë do të përballet me fituesin e duelit Annika Wurfel – Agata Perenc.

Fazliu, ndërkohë, do të ballafaqohet me Habibe Afyonlu e Turqisë në rrethin e parë në katergorinë 63 kilogramë.

Gajkova do të ketë punë me Joao Fernandon e Portugalisë në rrethin e parë në kategorinë 73 kilogramë.

Në këtë turne nuk do të marrin pjesë Distria Krasniqi, Nora Gjakova dhe Loriana Kuka.

Në Mastersin e Dohas në janar, Krasniqi e fitoi medaljen e artë, ndërsa Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova dhe Loriana Kuka fituan medalje të bronzta secila.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme