Qeveria e Kosovës është përcaktuar që ta mbajë gjallë edhe për disa vite njërin prej ndotësve më të mëdhenj në vend, termocentralin “Kosova A”.
Ai nuk do të fiket pa u ngritur e aktivizuar termocentrali “Kosova e Re”, shkruan sot Koha Ditore.
Kjo politikë është vendosur në Strategjinë për energjinë, e cila i referohet periudhës 2017-2026. Dokumenti është miratuar në fund të javës së shkuar dhe përcakton objektivat themelore të Ekzekutivit për zhvillimin e sektorit të energjisë.
Janë listuar disa objektiva, e para nga të cilat është sigurimi i furnizimit të qëndrueshëm dhe cilësor me energji dhe me kapacitete të nevojshme për një sistem stabil energjetik. E, arritja e këtij objektivi është e bazuar në 14 masa.