“Partneriteti Kosovë – Gjermani prej dy dekadash është dëshmi e orientimit të Kosovës, drejt familjes evropiane”, kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, pasi priti në takim një delegacion nga shteti i Baden Wurttemberg, i kryesuar nga Gisela Erler – Këshilltare shtetërore.
Kryeministri Haradinaj tha se partneriteti me shtetin gjerman është strategjik dhe nuk ka asnjë argument apo pengesë që mund të na ndajë. Kjo është një e vërtetë historike dhe një e vërtetë që do ta ndërtojë të ardhmen tonë.
“Që nga viti 1999 Gjermania ka qenë prezentë në Kosovë, duke e ndihmuar vendin tonë nëpër të gjitha fazat e shtet ndërtimit. Tani kjo prezencë, e nisur nga ajo ushtarake që ka siguruar paqen, po shndërrohet në partneritet ekonomik. Ne kemi themeluar “Parkun Inovativ Trajnues” në Prizren, që do të jetë qendër ekonomike, edukuese dhe trajnuese, projekt i përbashkët me Gjermaninë”, tha Kryeministri Haradinaj, duke kërkuar nga delegacioni mbështetjen e Kosovës në fushat e ndryshme, veçmas në fushën e edukimit dhe në fushën e bujqësisë.
Kryesuesja e delegacionit gjerman, Gisela Erler falënderoi Kryeministrin Haradinaj për pritjen derisa tregoi që arsyeja e vizitës është thellimi i bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Baden – Wurttemberg, veçmas në fushën e arsimit, me theks të veçantë programeve profesionale të edukimit dhe zhvillimin e bujqësisë.
“Ne jemi shumë të lumtur dhe tejet të interesuar si shtet, ta mbështesim Kosovën në rrugën e saj evropiane. Ajo që kemi parë në Kosovë është tejet mbresëlënëse. Dëshirojmë që këtë energji, ta konkretizojmë me projekte të tjera”, tha Erler kryesuese e delegacionit gjerman.
Kryeministri Haradinaj e njoftoi delegacionin me të gjitha të arriturat në Kosovë, me progresin në luftimin e korrupsionit dhe sundimin e ligjit, përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, progresin ekonomik dhe të arriturat e tjera në vend.
“Kosova ka bazën e përshtatshme ligjore të të bërit biznes, ka resurset humane dhe Ne mbështesim projektet gjermane në fushën e arsimit, teknologjisë, energjisë dhe bujqësisë ”, tha Kryeministri Haradinaj.
Pjesë e takimit ishte edhe zëvendës ambasadori gjerman në Kosovë, Jan Axel Voss, Blerim Canaj dhe Besnik Miftaraj nga Konsullata e Kosovës në Baden – Wurttemberg.