Raporti i fundit për Kosovën, dhe vende të tjera të Ballkanit, nga ana e Komisionit Evropian u publikua me 29 maj 2019. Instituti EPIK, përmes një kumtese për media thonë se nga hulumtimi që bënë, ky raport ka dy qëllime; Një të vlerësoj gatishmërinë e vendit për t’u anëtarësuar në BE dhe dy, të vlerësoj progresin e bërë brenda vitit të kaluar.
“Si çdo vit, pas publikimit të raportit, shumica qeverisëse ka zgjedhur disa fjali pozitive për të thënë se raporti ka vlerësuar pozitivisht qeverisjen në Kosovë, ndërsa opozita dhe ata që mendonin ndryshe kanë bërë të kundërtën – i kanë nënvizuar vlerësimet negative që raporti ka bërë për vendin.
Në këtë formë, shoqëria e Kosovës humbi mundësinë që ti qaset diskutimit empirik dhe kokëftoftë rreth një qëllimi i cili na bashkon të gjithëve – rrugëtimi drejt anëtarësimit në BE”, thuhet në komunikatën e EPIK.
Pikërisht në ketë kontekst, thuhet në komunikatë, kanë zgjedhur që të ndërmarrim hulumtimin e radhës për të dhënë përgjigje në disa pyetjet elementare sa i përket Raportit për Kosovën 2019.
Hulumtim i EPIK:
A mund të gjejmë një mënyre që të matim progresin që është bërë brenda një viti, në procesin integrues të Kosovës?
Ku është bërë progres më i madh, e ku ka pasur ngecje më të mëdha?
A mund të kuantifikojm gjeturat e Raportit?
A mund të krahasojmë Kosovën me vende të tjera të Ballkanit?
A mund të kuptojmë të gjitha detajet teknike të legjislacionit të BE-së, dhe ti prezantojmë ato në një formë sa më të thjeshtë dhe vizuale?
Pas një hulumtimi disa javorë, kemi arritur në nëntë (9) përfundime kyçe:
Në vitin 2019, Kosova është vlerësuar se ka “nivel të kufizuar të përgatitjes për anëtarësim në BE”, me numrin total të pikëve prej 1.8 nga gjithsej 5 pikë të mundshme. Rrjedhimisht, Kosova ishte në vendin e parafundit, duke lënë mbrapa vetëm Bosnjën me 1.6 pikë.
Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë “frontrunners” – me gjithsej 3 pikë.
Shqipëria me 2.4 pikë gjendet në mesin e dy grupeve me 2.4 pikë. Rrjedhimisht, ky rezultat e vendos Shqipërinë në kategorinë e njëjtë me vendet e fundit në Ballkan – Kosovën dhe Bosnjën.
Sa i përket sundimit të ligjit, respektivisht kapitulli 23: gjyqësori dhe të drejtat themelore dhe kapitulli 24: drejtësia, liria dhe siguria, Kosova është vend i fundit në Ballkan sa i përket gatishmërisë për tu anëtarësuar në BE.
Po ashtu, nga aspekti ekonomik Kosova është vend i fundit në Ballkan në kapitullin 8: politikat e konkurrencës dhe kapitullin 19: politikat sociale dhe punësimi.
Kosova e ndan vendin e fundit në Ballkan me Bosnjën në fushat e mjedisit dhe arsimit.
Nga viti 2016, Kosova ka bërë relativisht progres më të madh se sa vende të tjera të Ballkanit drejt marrjes së obligimeve që burojnë nga anëtarësimi në BE. Sidoqoftë, ky progres ishte vetëm 0.2 pikë në shkallë prej 5 pikëve. Ky progres i kufizuar u shënua fal progresit të kufizuar në kapitullin 1: lëvizja e lirë e mallrave, kapitullin 6: e drejta e ndërmarrjeve, kapitullin 15: energjia, kapitullin 16: tatimi dhe kapitullin 32 kontrolli financiar. Ky progres nuk duhet kuptuar si punë e shkëlqyeshme e institucioneve të Kosovës, por punë e dobët e vendeve të tjera në Ballkan – cilat efektivisht kanë pezulluar agjendën reformuese.
Sa i përket progresit në baza vjetore, krahasuar me vitin 2018 Kosova ka shënuar progres të kufizuar në kapitullin 6: e drejta e ndërmarrjeve, kapitullin 25: shkenca dhe hulumtimi, kapitulli 25: arsimi dhe kultura, kapitulli 28: mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit dhe kapitullin 32: kontrolli financiar.
Ndërsa, fushat brenda cilës Kosova ka shënuar regres krahasuar me vitin 2018, janë kapitulli 11: bujqësia dhe zhvillimi rural, kapitulli 17: politikat ekonomike dhe monetare, kapitulli 19: politikat sociale dhe punësimi.