Kosova zyrtarizon kandidaturën për organizimin e lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”

Prishtinë | 04 Pri 2023 | 16:20 | Nga Gzim Muja Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Republika e Kosovës ka zyrtarizuar kandidaturën për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”. Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka shpallur kandidaturën për këtë garë, raporton Ekonomia Online.

Kryeministri Albin Kurti dhe zv.ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, kanë pritur në takim presidentin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, për të diskutuar në lidhje me shprehjen e interesimit të Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.

Pas takimit, në një deklarim për media, kryeministri Kurti tha se është kënaqësi e veçantë të ndajë lajmin e shkëlqyeshëm se Kosova zyrtarisht është shteti kandidat për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Sipas tij, organizimi i Lojërave Mesdhetare 2030 në Kosovë, do të shënojë moment historik të zhvillimit të sportit vendor, dhe jo vetëm, konsideruar se Lojërat Mesdhetare të vetmet të organizuara në rajonin e Ballkanit, janë ato në vitin 1979 në Split të Kroacisë.

Lojërat 2030, shënojnë edicionin e 21-të të kësaj ngjarjeje multi-sportive e cila i bënë bashkë sportistët dhe qytetarët e 26 shteteve të tri kontinenteve të cilët preken nga ujërat e Mesdheut.

Kryeministri theksoi se përkundër që Kosova është e rrethuar me dhe, dhe me male, për të gjitha sportet të cilat kërkojnë qasje në det, jemi pajtuar me Shqipërinë se do të organizohen në bregdetin shqiptar.

Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, tha se kjo është një mundësi e mirë që të zhvillohet sporti në Kosovë.

“KOK është anëtar me të drejtat të plota në komitetin e Lojërave Mesdhetare që nga viti 2015. Jam i lumtur që instancat e politikës i kuptojnë rëndësinë e sportit. Lojërat mesdhetare do te ndikonin në të gjitha segmentet e shoqërisë. Sot si kurrë më parë e kemi mundësin që të zhvillojmë sportin në Kosovë”, tha ai.

Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, tha se ky organizim do të ketë ndikim të madh në sport. Sipas saj në qershor do ta kuptojnë se a është pranuar kandidatura e Kosovës për këto lojra.

“Kënaqësi që ditën e djeshme Kosova morri statusin kandidat. Ky projekt përveç ndikimit të madh që do të ketë , do të ketë ndikim jashtëzakonisht të madhe të sportit. Do të ketë impakt që kampionet tanë t’i ndjekim në garat që do të zhvillohen. Organizmi e ka konceptin e shtrirjes në tërë territorin e Kosovës. Prej tash e tutje së bashku me KOK do të punojmë që ti arrij afatet për aplikim zyrtarë. Në fund të qershorit mund ta marrim lajmin që Kosova është pranuar për këto lojëra”, tha ajo.

Komiteti Olimpik i Kosovës ka shpall kandidaturën për këtë garë.

Kjo u bë e ditur nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare.

Në njoftim thuhet se afati i fundit për aplikim për organizimin e lojërave për vitin 2027 dhe 2030-të ka përfunduar m 31 mars.

Për organizimin e Lojërave në plazh për 2027-tën ka konkurruar Portugalia ndërkaq tri vjet më pas Kosova.

Sipas ICMG-së, dy Komitetit Olimpike Kombëtare duhet ta dorëzojnë dosjen e kandidaturës deri në fund të qershorit, ndërsa Komisioni Vlerësues do të organizojë ndërkohë vizita inspektuese në të dy vendet, në Portugali dhe në Kosovë.

Më pas, më 8 shtator në Heraklion, gjatë asamblesë gjenerale të ISMG-së, do të vendoset për Lojërat e 21-ta Mesdhetare dhe për Lojërat e katërta Mesdhetare në Plazh.

“Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare e mirëpret me kënaqësi të madhe interesimin e dy Komiteteve Olimpike, të cilët janë anëtarët më të rinj të familjes Mesdhetare. Përkushtimi i tyre kontribuon në zhvillimin e kësaj ngjarjeje, por edhe në përhapjen e idealeve dhe të vlerave të Lojërave në krejt pellgun e Mesdheut”, shkruan ICMG në uebfaqen e vetë zyrtare, e cila shton se kandidaturat e Kosovës dhe të Portugalisë do të shqyrtohen me kujdes nga ekspertët dhe më pas do të vendoset nëse i plotësojnë kriteret apo jo, njofton Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare.

Kryeqyteti i Kosovës Prishtina, mund të jetë mikpritëse e mijëra sportistëve që do të marrin pjesë në këtë garë prestigjioze.

Kosova është treguar mjaft e suksesshme në pjesëmarrjet e saj në Lojërat Mesdhetare, mbi të gjitha në sportin e xhudos, duke fituar medalje të arta, të argjendta dhe të bronzta.

Deklarimi i plotë për medie i kryeministrit Kurti:

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

Të nderuara media,

Pak më herët përfunduam takimin e përbashkët me Komitetin Olimpik të Kosovës.

Kam kënaqësinë time të veçantë që të ndaj me ju lajmin e shkëlqyeshëm – se Kosova zyrtarisht është shteti kandidat për organizimin e Lojërave Mesdhetare, “Prishtina 2030”.

Sporti zë vend të veçantë në zemrën e çdo qytetari të Kosovës. E kjo, si rezultat i talentit dhe sukseseve të shumta të sportistëve tanë në arenën ndërkombëtare. Përderisa e tërë bota sheh dhe dëgjon për këto rezultate, ne jemi shumë të lumtur që këtë organizim madhështor ta sjellim afër sportistëve dhe qytetarëve të Kosovës duke promovuar paqen, shëndetin, unitetin dhe përsosmërinë në rajonin e Mesdheut dhe më gjerë.

Organizimi i Lojërave Mesdhetare 2030 në Kosovë, do të shënojë moment historik të zhvillimit të sportit vendor, dhe jo vetëm, konsideruar se Lojërat Mesdhetare të vetmet të organizuara në rajonin e Ballkanit, janë ato në vitin 1979 në Split të Kroacisë.

Lojërat 2030, shënojnë edicionin e 21-të të kësaj ngjarjeje multi-sportive e cila i bënë bashkë sportistët dhe qytetarët e 26 shteteve të tri kontinenteve të cilët preken nga ujërat e Mesdheut.

Përkundër që Kosova e rrethuar me dhe, dhe me male, për të gjitha sportet të cilat kërkojnë qasje në det, jemi pajtuar me Shqipërinë se do të organizohen në bregdetin shqiptar.

Qeveria e Kosovës ka identifikuar qartë vizionin për zhvillim të sportit në vendin tonë.

Ashtu siç kam thënë edhe më herët, sporti dhe aktiviteti fizik janë prioriteti ynë shtetëror. Mbështetjen për sportin e kemi rritur 200% krahasuar me vitet 2019 dhe 2020.

Buxhetin e federatave e gjetëm me 3 milionë euro, e sivjet kemi ndarë mbi 8 milionë euro. Deri më tani licencuam 23 federata sportive. Mbi 300 aktivitete sportive të zhvilluara në Kosovë, e me pjesëmarrje në mbi 200 aktivitete ndërkombëtare. Kurse në fund të shtatorit të vitit të kaluar, e lansuam programin 5-vjeçar me vlerë 12 milionë euro “Kosova – Shtet i Xhudos”.

Koncepti i organizimit të Lojërave Mesdhetare në Kosovë, parasheh shtrirjen e organizimit në tërë territorin e Kosovës me theks të veçantë në 7 komunat më të mëdha në vend. Përmes këtij koncepti, do të sigurojmë trashëgimi të qëndrueshme të këtij investimi, dhe njëkohësisht ndikimi do të ndjehet në çdo cep të vendit tonë.

Mirëpritja e këtyre Lojërave në Kosovë në vitin 2030, pasqyron vizionin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të ardhmen e të rinjve tanë.

· Konsolidimi i imazhit shtetëror në arenën ndërkombëtare;

· Përforcim i përkatësisë dhe identitetit shtetëror;

· Infrastrukturë fizike e modernizuar;

· Ekonomi e ringjallur përmes krijimit të vendeve të reja të punës dhe zhvillimit të turizmit sportiv;

· Fuqizim i politikave sociale dhe tejkalim i sfidave të shoqërisë në përgjithësi; dhe

· Fuqizim i rezultateve sportive dhe zhvillim i qëndrueshëm i sportit në vend; këto pra janë vetëm disa nga përfitimet direkte të Kosovës përmes këtij organizimi.

Përgjatë viteve, ne kemi dëshmuar përkushtimin tonë për paqe, vullnetin tonë për të rikuperuar kujtimet e së kaluarës, si dhe vendosmërinë për të zhvilluar narrativa të reja të cilat prezantojnë zhvillimin dhe diversitetin tonë kulturor.

Andaj, së bashku me Komitetin Olimpik të Kosovës do të punojmë me shumë kënaqësi dhe entuziazëm që në vitin 2030 të mirëpresim komunitetin sportiv nga tri kontinentet e Mesdheut.

Për fund, dua që në emër të qytetarëve dhe sportistëve të vendit tonë, të falënderoj Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare si dhe Lëvizjen Olimpike në përgjithësi për punën dhe kontributin e vazhdueshëm në ndërtimin e një shoqërie të shëndetshme dhe të bashkuar.

Ju faleminderit shumë.

Urime të gjithëve pra, kandidimi i Kosovës, i shtetit tonë, Republikës sonë për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Mirupafshim!

Të ngjashme