Kosovarët vazhdojnë të jenë turistët më besnikë të bregdetit shqiptar. Këtë e thotë zëvendësministri shqiptar i Turizmit, Hajrulla Çeku, i cili vjen nga Kosova.
Ministri shqiptar ka bërë të ditur se vetëm gjatë muajit gusht kosovarët realizuan 670 mijë vizita në territorin e Shqipërisë.
“Kosovarët realizuan afër 670 mijë vizita/hyrje në territorin e Shqipërisë gjatë muajit gusht 2018, një rritje prej 40% në krahasim me gushtin 2017. Në total (janar-gusht 2018) kemi mbi 1.5 milionë hyrje, 17.7% më shumë se e njëjta periudhë 2017”, ka shkruar zv.ministri Çeku në Facebook.
“Kosovarët vazhdojnë të dominojnë turizmin shqiptar. Përkundër të gjithave dhe gjithçkaje”, ka shkruar Çeku, pa shtjelluar më tej “problemet” me të cilat përballen kosovarët.