Kosovarët janë të zhytur në kredi

Prishtinë | 12 Maj 2023 | 11:16 | Nga Ekonomia Online

Rreth 70 mijë persona kanë marrë kredi në banka të ndryshme gjatë katër muajve të parë të këtij viti.

Kështu thuhet në përgjigjen e Bankës Qendrore dhënë për Institutin për Hulumtime “Front”.

 “Bazuar në të dhënat e gjeneruara sipas Data Bazë së Regjistrit të Kredive të Kosovës-RKK, numri i kredimarrësve total (fizik dhe juridik) për katër mujorin e parë 2023 (janar-prill) është 69,709”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.

Vlera e kredive që janë marrë nga qytetarët nëpër bankat komerciale është mbi 1 miliardë euro.

“Vlera e kredive që kanë marrë personat fizik dhe juridik në periudhën e njëjtë (janar-prill 2023) është 1,035,842,540.28 €”, thuhet më tej në përgjigje.

E në rritjen e numrit të kredive thuhet se ka ndikuar rritja e çmimeve në shumë sektorë.

Ekonomisti Imer Raci thotë për iFront se është e pamundur të mbulohen shpenzimet me pagat aktuale.

“Ruajtja e standardit për shkak të rritjes së çmimeve ka ndikuar në marrjen e kredive gjë që është e pamundur të mbulohen shpenzimet me pagat aktuale e që nuk i janë përshtatur Inflacionit”, tha ai

Kosova është përballur me rritje çmimesh të produkteve dhe shërbimeve nga fundi i vitit të kaluar, kryesisht për shkak të çrregullimeve në furnizime që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit.

Hov më të madh atyre u ka dhënë pushtimi rus i Ukrainës, i cili ka nisur në fund të shkurtit.

Të ngjashme