Pandemia ka goditur ekonominë në Kosovë, por ajo nuk ndikoi shumë që kosovarët të heqin dorë nga jeta e luksit.
Në mars të vitit 2020, sikurse krejt shtete e botës edhe Kosova kaloi në nivel pandemie. Që nga atëherë janë aplikuar masa kufizuese ndaj lëvizjes së qytetarëve me qëllim parandalimin e përhapjes së shpejtë të virusit. Ky kufizim i lëvizjes nuk ndikoi shumë që qytetarët në Kosovë të heqin dorë nga blerja e veturave, shkruan lajmi.net.
Të dhënat e dërguara nga Dogana e Kosovës tregojnë se nga 1 janari i vitit 2020 deri më 20 dhjetorë në Kosovë janë importuar vetura në vlerë prej 59,225, 415 euro. Nga to, veturat që cilësohen si të vjetra nga dogana janë importuar në vlerë prej 50,420,191.22 euro. Në të njëjtën përudhë të vitit 2019, kur nuk kishte pandemi, janë importuar vetura të vjetra në vlerë prej 56,730,020.16 eurove.
Vetura të reja në 2020-ën janë importuar në vlerë prej 8,805,224.92 eurove, derisa në vitin 2019 kjo shifër ka qenë 11,282,230.36 euro.
Korriku, gushti, shatori dhe tetori kanë qenë muajt kur janë importuar vetura më së shumti në vitin 2020.
Veturat po vijnë nga Gjermania
Deri më 20 dhjetorë të 2020-ës janë importuar 20228 vetura, nga to 14691 kanë ardhur nga Gjermania, pastaj nga Franca 1535 copë, Kina 803, Çekia 773, Spanja 420, Britania 353, Japonia 349, Rumania 250, SHBA 177, nga Italia 164 copë.
Nëse në vitin 2019 ka pasur vetura të importuara edhe nga Turqia, Suedia e Korea e Kina në vitin 2020 nuk ka pasur import nga këto shtete.
Sa është vjetërsia e veturave të importuara?
Vetura më e vjetër e importuar në Kosovë në vitin pandemikë ka qenë e 35 vjeçare. Është blerë vetëm një e tillë. Në vitin 2020, fiks 739 copë vetura u importuan të vjetërsisë zero vite, ndërsa 2467 kanë qenë një vjeçare. Më së shumti janë importuar me vjetërsi dhjetë vjeçare, vite këto që është edhe kufiri i doganimit të tyre. Në këtë vjetërsi është importuar sasia prej 4582 copë. Mbi këtë vjetërsi, pra vetura mbi dhjetë vjeçare janë importuar 95 copë.
Sa fitoi shteti nga importi i veturave?
Në momentin e importit të ndonjë malli atëherë varësisht nga procedurat të cilën e kërkon kompania importuese edhe bëhet zhdoganimi i tyre. Mallrat futen në pikëkalimet kufitare dhe pastaj dërgohen në terminalet doganore (ZBD) për zhdoganimin e ngarkesave. Dogana e Kosovës lejon dy opsione të zgjedhjes gjatë një importi, fillimisht kërkohet që të bëhet zhdoganimi në terminalin më të afërt nga pika e hyrjes. Si opsion i dytë është terminali më i afërt me selinë se ku është e regjistruar kompania.
Nga 1 janari deri më 20 dhjetor 2020, nga importi i veturave shteti ka përfituar: 13, 514, 941 euro nga doganimi i tyre, akciza ka qenë në vlerë prej 8, 917, 800 euro, TVSH-ja ka qenë 36,792, 673 euro.
Në Kosovë akoma makinat më të shitura janë të tipit Volkswagen.