Ndërsa turistë nga vende të ndryshme po e shmangin Turqinë si destinacion turistik për shkak të një perceptimi pasigurie, e njëjta gjë nuk ndodh me kosovarët.
Sipas agjencive të udhëtimeve në Prishtinë, numrat e pushuesve nga Kosova që pushojnë apo kanë rezervuar pushime në Turqi janë në rritje këtë vit.
Disa prej agjencive kryesore i thanë Gazetës Jeta në Kosovë se kërkesat dhe rezervimet janë më të mëdha në krahasim me sezonin veror 2015.
Por, entuziazmi i kosovarëve për të kaluar pushimet në Turqi mund të jetë i veçantë duke qenë se qytetarë të vendeve të tjera e kanë evituar këtë vend.
Turqia e cila ka qenë shënjestër e turistëve në mbarë botën për shkak të atraksioneve që ofron, këtë vit nuk e ka filluar mbarë sezonin turistik.
Një nga arsyet kryesore të shmangies së Turqisë nga vizitorët e huaj, sipas analizave në mediat ndërkombëtare, lidhet me faktin se turistët dhe kamikazët nuk shkojnë bashkë.
Terrorizmi dhe mustaqet despotike
Rrugët dhe pikat turistike të Stambollit kanë qenë disa herë gjatë këtij viti cak i sulmeve të ndryshme nga të cilat kishte edhe të vdekur dhe të lënduar.
Janari i këtij viti filloi me një shpërthim në lagjen turistike “Sultanahmet”, afër bazilikës Shën-Sofia dhe Xhamisë së Kaltër në Stamboll ku së paku dhjetë persona u vranë dhe 15 u plagosën.
Mirëpo përveç sulmeve dhe numrit të madh të refugjatëve sirianë të cilët janë vendosur në Turqi, ky vend ka pasur edhe probleme të brendshme politike, kurse djali i Kryetarit Erdogan ka ikur në Gjeorgji pasi që gjykata turke ka lëshuar fletarrestim për të.
Por ajo që tërhoqi vëmendjen e mediave botërore ishte shtypja e dhunshme e protestave të para dy vjetëve që filluan si aktivizim për mbrojtjen e një parku dhe përfunduan në protesta antiqeveritare në Turqi.
Madje në një fotografi të publikuar nga mediat shihet edhe një ndihmës i Kryeministrit të atëhershëm të Turqisë Recep Tayyip Erdoga duke goditur një protestues.
Gjithashtu, përplasjet e të Presidentit turk Erdogan me homologun rus Vladimir Putin pas incidenteve ushtarake mes dy vendeve, kanë bërë që pushuesit rusë ta braktisin Turqinë në masë të madhe.
Arsyeja kryesore ishte rrëzimi nga ana e Turqisë i avionit ushtarak rus që kishte hyrë në zonën ajrore turke nëntorin e vitit të kaluar, duke shkaktuar një krizë diplomatike mes dy shteteve.
Gjithashtu, rihapja e luftës ndaj kurdëve pas një armëpushimi të gjatë e ka rritur edhe më tej pasigurinë duke bërë që Turqia të vendoset mes dy frontesh të sulmeve: nga xhihadistët në njërën anë dhe kurdët e PKK-së në tjetrën.
Si rrjedhojë e këtyre trazirave, vizituesit britanikë dhe gjermanë u zvogëluan për një të tretën.
Sipas një reportazhi të BBC, Turqia që priti 37 milionë vizitues në vitin 2014 – atëkohë destinacioni i gjashtë më i frekuentuar në botë – pritet të shënojë një rënie prej së paku 40 për qind këtë vit.
Dashuria për Turqinë
Mirëpo frika nga sulmet e mundshme terroriste, trazirat gjeopolitike, përplasja me Rusinë dhe linja e ashpër e Erdoganit nuk ka ndikuar edhe te qytetarët e Kosovës.
Sipas agjencive turistike të cilat veprojnë në Kosovë, Turqia po vazhdon të mbetet një destinacion i pëlqyer për pushime nga kosovarët.
Fisnik Dragusha nga agjencioni turistik “VasTour Kosova”, tha për Gazeta JNK se Shqipëria dhe Turqia janë ndër vendet më të dashura nga kosovarët për të kaluar pushimet.
“Nuk mund të bëjmë një krahasim të saktë pasi që akoma është herët dhe çdo gjë mund të ndryshojë, mirëpo krahasuar me vitin e kaluar dhe me të njëjtin muaj, me shitjen e biletave jemi pothuajse njësoj – Shqipëria dhe Turqia janë ndër më të pëlqyerat”, tha ai.
Sipas tij Shqipëria është më e kufizuar gjatë këtij muaji për shkak të ramazanit, kurse Turqia ka shënuar rritje.
“Në fillim është vërejtur një rënie sigurisht për shkak të ngjarjeve dhe sulmeve që kanë ndodhur, mirëpo tani ka filluar që të rritet prapë kërkesa për të vizituar Turqinë,” tha Dragusha për Gazeta JNK.
Që Turqia vazhdon të mbetet në “shënjestrën” e pushimeve të kosovarëve, e vërtetoi edhe Jurinda Gacaferri nga agjencioni “Veneta Travel”.
“Në përgjithësi kemi rritje të kërkesave kurse qytetarët preferojnë me shumë Turqinë dhe Ulqinin. Në fillim për Turqi kemi pasur rënie të interesimit, mirëpo tani në sezon nuk po vërehet,” tha ajo për Gazeta JNK
Kurse në përgjigjen elektronike të marrë nga “Eurokoha Reisen” thuhet se Turqia ka shënuar 30 për qind rritje në krahasim me vitin e kaluar.
“Ka rritje të numrit të kosovarëve që shkojnë për pushime jashtë vendit në krahasim me vitin e kaluar. Shqipëria dhe Turqia janë vendet më të preferuara për kosovarët, kurse kërkesa për Turqi ka shënuar rritje për 30 për qind,” thuhet në përgjigje.
Mirëpo një përkrahje e tillë për Turqinë dhe popullin turk nuk është diçka e re për kosovarët pasi që në vitin 2013 në Prizren, qyteti me popullsinë më të madhe turke në Kosovë, disa qindra njerëz ishin mbledhur në sheshin kryesor “Shadërvan” për të shprehur mbështetjen e tyre për Kryeministrin turk.
Këta njerëz në atë kohë mbanin flamuj turq dhe të Kosovës si dhe postierë me fytyrën e tash ish-Kryeministrit turk dhe pankarta me parulla si “Kosova të do” dhe “Erdogan, miku më i madh i kosovarëve”.
Kosova ka zbutur edhe gjuhën e përdorur në librat shkollorë të historisë në pjesët ku flitet për Perandorinë Osmane.
Në Kosovë ndikim kanë edhe bizneset turke si Grupi Limak i cili tani drejton Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës përmes një partneriteti publik-privat.
Kompania Limak është pjesë e konsorciumit, me një kompani tjetër turke, Çalik, e cila tani zotëron rrjetin kosovar të energjisë.
Gazeta Jeta në Kosovë shkroi në vitin 2013 se pozitën e kryeshefit ekzekutiv në “Çalik” e mban Berat Albayrak dhëndër i Kryeministrit të atëhershëm Erdogan.