Një grup vullnetarësh kosovarë që jetojnë në Gjermani po punojnë vullnetarisht në pastrimin e zonave të përmbytura nga vërshimet e ditëve të fundit.
Mergim Krasniqi thotë se nuk ka pasur mundësi që të vijë në Kosovë për pushime verore, por këtë kohë të qëndrimit atje po e shfrytëzon që t’u dalë në ndihmë banorëve të dëmtuar nga fatkeqësia natyore.
Përveç këtyre shërbimeve, në ditët kritike, ky grup thotë se ka shpëtuar edhe qytetarë që i kishte marrë uji. Ndërsa shprehet se të gjithë banorët e këtushëm janë falënderues për ndihmën që po ua japin.
Sipas malishevasit, nuk ka shqiptar të lënduar në këtë zonë, por u janë dëmtuar shtëpitë. Shumica kanë kaluar në qytetet e paprekura nga fatkeqësia, tek të afërmit e tyre.
Reshjet e mëdha të shiut që pasuan me vërshime shkaktuan vdekjen e rreth 200 personave, ndërsa shumë të tjerë konsiderohen ende të zhdukur.
30 vjeçari kosovar thotë se shteti gjerman ka intervenuar shumë shpejt për t’u ofruar ndihma të gjithë qytetarëve që janë dëmtuar nga vërshimet.