Korrupsioni, mungesa e praktikave transparente, zgjatja e proceseve dhe numri i madh i lëndëve të pazgjidhura ndikojnë në perceptimin negativ të publikut ndaj transparencës së gjyqësorit dhe sistemit prokurorial. Mitmarrja vazhdon të mbetet një nga problemet më shqetësuese në institucionet e sundimit të ligjit në Kosovë.
Këto janë të gjeturat kryesore në raportin “Sfidat në Sistemin e Drejtësisë:Pavarësia, Paanshmëria dhe Efikasiteti i Sistemit Gjyqësor në Kosovë”, të paraqitur nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), raporton Ekonomia Online.
Të dhënat e anketës së kryer nga kjo organizatë tregojnë se 55.8% e qytetarëve të anketuar mendojnë që punonjësit e institucioneve të sundimit të ligjit drejtpërdrejt kërkojnë ose pranojnë mito.
“Duhet theksuar fakti se kjo përqindje është më e lartë me 12.4 pikë përqindje krahasuar me anketën e zhvilluar gjatë muajit dhjetor 2016, gjë që tregon një rritje të besimit qytetar se gjyqtarët, prokurorët, policët janë të prirë të pranojnë ryshfet. Ashtu si dhe në rastin e ndikimit politik gjykatat vazhdojnë të jenë institucioni më i prekur nga mitmarrja me 79.6% e të anketuarve, e ndjekur nga prokuroria me 65.4%, policia me 42.1% dhe EULEX me 23.5%”, thuhet në raportin e paraqitur nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).
Bazuar në të dhënat e anketimit, kënaqshmëria me gjykatat, prokurorinë dhe EULEX-i është e vogël, përkatësisht, 2.66, 2.66, 2.57 që tregon se në masë të madhe qytetarët janë të pakënaqur me punën e këtyre tri institucioneve. Nga të dhënat e anketimit, 1 ka qenë aspak i kënaqur, ndërsa 5 ka qenë plotësisht të kënaqur.
Hilmi Jashari, Avokat i Popullit i cili ishte prezentë në këtë tryezë diskutimi, ka thënë se është brengosëse zvarritja e lëndëve në sistemin e drejtësisë.
“Kemi një rënie të sistemit të drejtësisë. Qytetarët kanë drejtë të kompensohen nëse po u shkelet e drejta për të një gjykim brenda afatit të arsyeshëm kohor”, ka thënë Jashari, në tryezën“Sfidat në sistemin e drejtësisë: Pavarësia, paanshmëria dhe efikasiteti i sistemit gjyqësor në Kosovë”, organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).
Problemin tjetër sipas tij, kanë qenë edhe lëndët e paekzekutueshme. “KGJK nuk e ka futur në raport të 2015 këtë çështje, ka qenë brengosëse sepse këto janë lëndë sistematike. Rreth 6 milionë euro dëmtohen nga mos ekzekutimi i vendimeve gjyqësore”, ka thënë Jashari.
Ai ka folur edhe për pavarësinë e sistemit gjyqësor, ku ka thënë se defektet sistematike kanë të bëjnë së pari me pavarësinë financiare.
Makifete Saliuka përfaqësuese e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ka thënë se Sistemi Gjyqësor sipas raporteve ka mungesë të llogaridhënies dhe është i përfshirë në korrupsion.
“Para nesh ka sfida, rritja e besimit të qytetarëve, sfidë në vete janë krimi i organizuar, terrorizmi. E dimë që duhet të bëjmë më shumë në krijimin e besimit. Por duhet të bërë më shumë në besimin e sigurisë, parësisë dhe llogaridhënies. Për punën e sistemit gjyqësor duhet kushte, si më shumë gjyqësor, hapësira, dhe kushte teknike. Në Gjykata ka gjykatës të zotë dhe dinjitozë”, ka thënë Saliuka, teksa ka shtuar se gjyqësori është vetëm një segment në sistemin e drejtësisë.
Makifete Saliuka ka përmendur edhe marrëveshjen e Brukselit për funksionalizimin e gjykatave në veriun e Kosovës, për çka tha se duhet të angazhohet i gjithë gjyqësori.
Imer Beka, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ka theksuar se opinioni në Kosovë krijohet me porosi.
“Ne mendojmë që buxheti është pika kryesore që i frikëson prokurorët, pikë tjetër është edhe siguria. Ne kemi ende numër të pamjaftueshëm të prokurorëve dhe stafit ndihmës. Ne kemi kërkuar qe të bëhet një ndryshim të kodit penal, kemi prit që dikush të merret me këtë çështje. Sepse ka vlera që nuk janë penale, e që konsiderohen dhe marrin kohë sikurse ato veprat e rënda penale”, ka thënë Beka.
Ai ka folur edhe për transparencën që ka thënë se sistemi i drejtësisë duhet të jetë edhe më transparent dhe te jete më llogaridhënës.