Kosovari me nënshtetësi suedeze, Patrik Gjoshaj, është dënuar me 10 vjet burgim në Suedi pasi Gjykata e Distriktit të Varbergut e ka gjetur atë fajtor për disa vepra të ndryshme penale. Ai akuzohej për vrasje në tentativë, sulm të rëndë ndaj gruas së tij dhe kërcënime. Për të bëmat e kosovarit kanë raportuar edhe mediat suedeze.
Sipas mediumit suedez “ Samnytt.se”, Patrik Gjoshaj ka goditur me hanxhar xhaxhain e të dashurës së tij, kur ajo vendosi të ndahej, derisa kishte kërcënuar se do ta vriste “si qenin” edhe babain e saj.
Por, pavarësisht këtyre veprave, ai do të mbetet në Suedi, meqenëse prokurori nuk e ka kërkuar deportimin e tij.
Përveç që kishte tentuar ta vrasë xhaxhain e të dashurës, Gjoshaj akuzohet edhe për dhunë në familje.
Gruaja e tij ka thënë në polici se ajo është keqtrajtuar nga qe një kohë të gjatë përmes poshtërimit, kërcënimeve dhe dhunës.
Sipas dëshmisë së saj, ai e kishte kontrolluar atë deri në atë masë kur ajo nuk ishte e lejuar që të grimohej apo të bënte pazar pa marrë leje prej tij.
Ndërkohë, Patriku e ka pranuar se i ka thënë fjalë të shëmtuara gruas së tij, derisa ka pretenduar se familja e saj janë përpjekur që t’i ndajnë.
Ky nuk është rasti i vetëm që kosovari është dënuar. Para katër vitesh, ai ishte dënuar me pesë muaj burg, meqenëse e kishte rrahur të dashurën e tij.
Gjoshaj ka shtetësi gjermane, derisa në Suedi kishte shkuar në vitin 2011.