Elvis Rexhbeçaj është njëri prej lojtarëve për të cilët në Federatën e Futbollit të Kosovës shpresojnë se do të zgjedhë që të luajë për Kosovën. Rexhbeçaj 21-vjeçar ende nuk ka veshur fanellë të përfaqësueses, por në nivel klubesh po përjeton zhvillimin e duhur. Ai të dielën shënoi golin e parë personal në Bundesligën gjermane.
Goli i tij në fund nuk kishte vlerë pikësh, pasi Wolfsburgu pësoi 2:1 në udhëtim nga Schalke. Ndeshja i takoi xhiros së parë të pjesës së dytë të kampionatit gjerman, ndërsa u luajt para 59 mijë shikuesve në Gelsenkirchen.
Rexhbeçaj, që luan si mesfushor defansiv, shënoi në minutën e 20-të duke barazuar rezultatin në 1:1. Fillimisht Admir Mehmedi qëlloi shtyllën me goditje nga zona, ndërsa topin e dëbuar nga shtylla në portë e dërgoi Rexhbeçaj që ishte në vendin e duhur.