Nga Behlul Jashari
PRISHTINË, 28 Mars 2024/ Para 35 viteve, në 28 Mars të vitit 1989, Serbia në Kuvendin e saj miratoi “Kushtetutën e tankeve”, që përgjakshëm, në rrethana tragjike terrori, me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 si element konstituiv me të drejtë vetoje i federatës, nga shpërbërja e së cilës pastaj dolën shtatë shtete.
Por, si gjithmonë, Kosova as atëherë dhe kurrë nuk u ndal në lëvizjen e luftën e shqiptarëve drejt lirisë e pavarësisë…
Kundërshtimi i fuqishëm “Kushtetutës së tankeve” serbe – rrënimit të autonomisë në Kosovë ishin demonstratat gjithëpopullore në të cilat vetëm brenda dy ditëve, në 27 e 28 Mars 1989, në shtetrrethimin e hekurt ushtarako-policor të vendosur nga Beogradi u vranë 22 shqiptarë e plagosën qindra të tjerë në Prishtinë, Mitrovicë, Zhur e Dushanovë afër Prizrenit, Podujevë, Deçan, Gjilan e në anë të tjera të Kosovës.
Demonstratat pasonin grevën e urisë të 1.300 minatorëve të Trepçës, nga 20 deri 28 Shkurt 1989, e cila ishte në mbrojtje nga sulmet e Serbisë kundër Kosovës e mëvetësisë së saj, rezistencë e fuqishme e përkrahur nga populli dhe në kërkim të lirisë, demokracisë e të drejtave të plota për shqiptarët.
Në vijimësi të kundërshtimeve të fuqishme gjithëpopullore dhe institucionale të “Kushtetutës së tankeve” serbe, në rrethana të okupimit, Kosova në vitin 1990 shpalli Deklaratën Kushtetuese për Pavaraësi në 2 Korrik e më pastaj Kuvendi miratoi në 7 Shtator Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Në vitin 1991, nga 26 deri në 30 Shtator u organizua edhe Referendumi ku kosovarët votuan 99,87 për qind për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur, i cili pasohej me zgjedhjet e para pluraliste, parlamentare e presidenciale të 24 Majit 1992, kur President i parë u zgjodh Dr. Ibrahim Rugova.
Republika e Kosovës me kushtetutën e vet e institucionet demokratike të zgjedhura atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.
Kosova e lirë, pas përfundimit të luftës në Qershor 1999, prej vitit 2001 deri në shpalljen e pavarësisë në 17 Shkurt 2008 ka pasur një Kornizë Kushtetuese, të miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë defakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.
Në 15 Qershor 2008 ka hyrë në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës të njohur ndërkombëtarisht, e cila në nenin 1 e përcakton “shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”.
Më parë, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë, akti më i lartë juridik i shtetit ishte miratuar nga Kuvendi i Kosovës në ditën e 9 Prillit, e cila është Dita e Kushtetutës – festë shtetërore, sipas Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, të miratuar në Kuvend në 21 Maj 2008.
Dekretimi i këtij ligji dhe 40 ligjeve të tjera, të dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet më të rëndësishme të ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës, 15 Qershorit 2008. Dekretimin e ligjeve e bëri Presidenti i atëhershëm i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, pasi ato i dërgoi në Presidencë Kryeparlamentari në atë kohë, Jakup Krasniqi.
Deri në hyrjen në fuqi të Kushtetutës ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës i ka nënshkruar Shefi i UNMIK-ut, Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Në këtë vit – 2024-tën, 16 vjetori i hyrjes në fuqi të Kushtetutës së shtetit të pavarur do shënohet në kohën kur festohet 25 vjetori i lirisë, e cila nisi me Ditën e Paqes e Lirisë – 12 Qershorin e vitit 1999, kur forcat paqeruajtëse shpëtimtare të NATO-s prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës filluan të hynin në Kosovë, nga Maqedonia, e të nesërmen edhe nga Shqipëria, pas ndërhyrjes me aviacion në fushatën ajrore 78 ditëshe të goditjes së caqeve të forcave serbe që bënin masakra e spastrim etnik duke vrarë më shumë se 12 mijë shqiptarë, zhdukur mëse 6 mijë e dëbuar rreth një milion, shumicën drejt Shqipërisë…