Javën e kaluar, dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës rifilloi pas pothuajse dy viteve. Prioritetet e paraqitura nga delegacioni kosovar përfshijnë temën e personave të pagjetur dhe dëmet ekonomike që lidhen me luftën e fundit. Progresi në këto tema është i rëndësishëm për normalizimin e marrëdhënieve midis dy qeverive, dhe aq më tepër për shumë viktima dhe të mbijetuar. Sidoqoftë, nevojitet një vëmendje më e madhe për t’u marrë me trashëgiminë e konfliktit dhe për të ecur drejt një të ardhme të qëndrueshme paqësore, sugjeron një raport i ri kërkimor.
Që nga përfundimi i luftës të viteve 1998-99, janë ndërmarrë disa nisma për të dokumentuar atë që ka ndodhur, për të gjetur të vërtetën, për të arritur drejtësinë për krimet që kanë ndodhur, për të kujtuar dhe lehtësuar dialogun ndërmjet komuniteteve të ndryshme. Raporti i ri i hulumtimit ‘Demokratizimi i Drejtësisë Tranzicionale – Drejt një Infrastrukture Diskutuese për Trajtimin e së Kaluarës në Kosovë’, ka trajtuar nismat e ndryshme të drejtësisë tranzicionale në Kosovë dhe ka dalë në përfundim se këto nisma ishin kryesisht të fragmentuara dhe nga lart-poshtë, pa një strategji apo vizion gjithëpërfshirës. Përkundrazi, nismat e drejtësisë tranzicionale, të cilat kanë tentuar të bëjnë punën e tyre, kanë vuajtur nga mungesa e koordinimit dhe harmonizimit, si dhe nga politizimi dhe personalizimi nga udhëheqësit politikë, dhe më e rëndësishmja nuk kanë arritur të sigurojnë përfaqësim adekuat dhe përfshirje të komuniteteve të prekura (viktimave dhe të mbijetuarit e konfliktit). Si të tilla, ato kanë qenë kryesisht të pasuksesshme për ta larguar shoqërinë kosovare nga e kaluara e dhunshme drejt një të ardhme paqësore.
Ndjesia e mungesës së arritjes së drejtësisë, gjë që është prezente në vend, si dhe mungesa e pranimit dhe njohjes së shkeljeve dhe dëmeve të pësuara nga viktima të ndryshme gjatë konfliktit të armatosur janë bërë pengesa për bashkëjetesën ndëretnike, pajtimin dhe zhvillimin e shoqërisë kosovare deri më tani. Aktualisht, aktakuzat që priten të ngriten nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës sjellin kujtime për të kaluarën dhe mund të shkaktojnë paqëndrueshmëri të mëtjeme politike. Gjithashtu, krijimi i një Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin, i cili do të kishte potencialin për të trajtuar në mënyrë gjithëpërfshirëse konfliktin, nuk është i sigurt. Kjo situatë kërkon një strategji gjithëpërfshirëse kombëtare për trajtimin e së kaluarës, në të cilën përfshihen zërat e qytetarëve.
Ky raport i ri hulumtues tregon se një qasje nga lart-poshtë dhe/ose e imponuar nga jashtë për të trajtuar të kaluarën i ka munguar zëri i qytetarëve. Në të njëjtën kohë, një qasje nga poshtë-lart do të kishte ende nevojë për mbështetje politike. Prandaj, raporti propozon që Kosova të zhvillojë një infrastrukturë që bazohet në përpjekjet e mëparshme, që është transparente, e hollësishme dhe gjithëpërfshirëse për të gjitha pjesët e shoqërisë. Ky studim propozon një qasje me katër hapa, duke përfshirë:
Kjo Infrastrukturë për Ballafaqimin me të Kaluarën ofron udhëzime të reja për promovimin e drejtësisë dhe transformimit shoqëror në Kosovë, dhe ndoshta edhe për shoqëritë e tjera të prekura nga konflikti. Sidoqoftë, suksesi varet nga vullneti politik dhe angazhimi i të gjithë akterëve ndërkombëtarë dhe kombëtar për të bashkuar burimet dhe forcuar koordinimin për të adresuar trashëgimitë e pazgjidhura të konfliktit dhe të mbështes [gjetjen e të vërtetës dhe] ndërtimin e besimit midis grupeve të ndryshme etnike, të cilat përfundimisht mund të rezultojnë në pajtim. Kështu, tani është koha që Kosova të marrë seriozisht trashëgiminë e së kaluarës përmes zhvillimit të një infrastrukture institucionale dhe shoqërore të përshtatshme dhe të qëndrueshme që promovon të vërtetën, drejtësinë, paqen dhe pajtimin në vend.
Ky studim është shkruar nga Dr. Gëzim Visoka dhe Besart Lumi, i mbështetur nga Integra, Nisma e Re Sociale dhe PAX, dhe është bërë i mundur përmes një granti nga Platforma e Njohurisë për Siguri dhe Sundim të ligjit. Rekomandimet janë të bazuara në informacionet e mbledhura përmes hulumtimit në tavolinë, seancave të grupeve të fokusit dhe një sërë intervistash të kryera ndërmjet marsit dhe majit 2020 me akterë të ndryshëm në Kosovë.