Serbit Nemanja Vllaskoviq, që u arrestua këtë javë nën dyshime për sulm ndaj gazetarëve në veri të Kosovës, i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve, raporton “Kossev”.
Avokati i Vllaskoviqit, Predrag Milkoviq, ka thënë se klientit të tij i është caktuar masa e paraburgimit, ndërsa ka thënë se ai është dërguar në qendrën e paraburgimit në Podujevë.
Vlaskoviq është arrestuar në Leposaviq dy ditë më parë, nën dyshimin për sulm ndaj gazetarëve më 29 maj.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, kishte postuar një foto me maskë që tha se është Vllaskoviqi. Avokati i të arrestuarit e mohon këtë.
“Ai nuk është ai personi me kapelë, kjo është e vërteta. N.V. qëndron diku në rreshtin e shtatë apo tetë. Ai nuk është sulmues i gazetarëve në asnjë mënyrë, sipas dëshmive tona as që mund të jetë”, tha Milkoviq.
Milkoviq tha se do të dorëzojë provat në gjykatë e po ashtu edhe foton e do të kërkojë lirimin e tij.
Vllashkoviq akuzohet për “shkatërrim ose dëmtim të pronës, nxitje të urrejtjes dhe intolerancës racore, e po ashtu pjesëmarrje në huliganizëm”.
Janë regjistruar mbi 30 sulme në veri të Kosovës ndaj gazetarëve kosovarë në tri javët e fundit.