Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal në mbledhjen e mbajtur vendosi unanimisht që përveç KOSTT-it, në raportim të thirret edhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE-ja), raporton Ekonomia Online.
Propozimi që edhe ZRrE-ja të thirret në komision erdhi nga anëtarja e komisionit nga radhët e Grupit Parlamentar të LDK-së, Mimoza Kusari-Lila.
Kjo thirrje për raportim erdhi pasi që kryetarja e Komisionit, Sala Berisha- Shala dhe anëtarja Mimoza Kusari Lila kishin vizituar KOSTT-in, ku janë informuar nga drejtori, i cili sipas tyre, ka treguar një gjendje tejet të rëndë të sektorit energjetik në vend.
Pikë tjetër e rendit të ditës ishte Shqyrtimi i Raportit me Rekomandime për Projektligjin për Pajisjet nën Presion i cili ka kaluar procedurat dhe ka kaluar me shumicë votash, me 6 vota për.
Ndërsa, Shqyrtimi i Raportit me amendamente për Projektligjin për Metrologji poashtu ka kaluar më shumicë të votave.
Sipas kryetares së komisionit, Sala Berisha-Shala, grupi punues ka kryer punët për këtë projektligj në krye me Mimoza Kusari-Lila.
Kusari-Lila për projektligjin për Metrologji tha se kanë ndodhur vetëm disa ndryshime dhe bashkim të neneve për qartësinë e tyre dhe ky projektligj kaloi në lexim të dytë me të gjitha votat për.
“Aspektin e pajtueshmërisë janë përfundu punët në grupin punues, nuk ka pasur ndryshime substanciale çfarë dy pika janë ndryshu, ka bashkim të nenit për qartësi të neneve dhe në aspektin përmbajtësor nuk ka ndryshime të neneve”, ka thënë Kusari-Lila.