Sistemi elektro-energjetik i Kosovës po përballet me rritje të ndjeshme të konsumit të energjisë elektrike gjatë sezonit dimëror, veçanërisht në orët e pikut, ka bërë të ditur KOSTT përmes një komunikate për media.
Sipas KOSTT-it, krahasuar me vitin e kaluar, konsumi i energjisë elektrike ka shënuar rritje prej 14.33 për qind, ndërsa ngarkesa maksimale prej 1468 megavatësh është arritur dje, edhe pse temperaturat nuk kanë qenë shumë të ulëta.
“Ngarkesa maksimale prej 1468 MW është arritur në kushte kur temperaturat nuk kanë qenë shumë të ulëta, çka tregon se në ditët më të ftohta konsumi mund të rritet edhe më tej”, thuhet në komunikatë.
KOSTT bën të ditur se kërkesa më e lartë për energji elektrike regjistrohet në intervalet kohore 16:00–20:00 dhe 22:00–23:00, duke ftuar qytetarët, institucionet dhe bizneset që të kontribuojnë në uljen e konsumit.
“Në këtë kontekst, KOSTT fton qytetarët, institucionet dhe bizneset që, sipas mundësive të tyre, të ndërmarrin çdo veprim praktik që ndihmon në uljen e konsumit dhe të ngarkesës së sistemit”, theksohet më tej, duke përmendur përdorimin më të kujdesshëm të pajisjeve elektrike dhe zhvendosjen e konsumit jashtë orëve të pikut.
Sipas të dhënave të sistemit, zonat me ngarkesën më të lartë ditëve të fundit kanë qenë nënstacionet Rahovec (përfshirë Malishevën), Prizreni 1, Gjilani 1 dhe Lipjani.
“Në këto zona kërkohet kujdes i shtuar dhe bashkëpunim i qytetarëve për të shmangur mbingarkesat dhe për të ruajtur furnizimin e qëndrueshëm me energji elektrike”, njofton KOSTT.
Institucioni paralajmëron se operimi i sistemit në kushte mbingarkese mund të imponojë masa teknike, përfshirë reduktime të kontrolluara dhe të përkohshme të furnizimit.
“Reduktimet e tilla janë masa të domosdoshme për mbrojtjen e stabilimenteve dhe aseteve kritike të sistemit elektro-energjetik”, thuhet në komunikatë, duke u bërë thirrje qytetarëve që gjatë ndërprerjeve të largojnë pajisjet elektrike nga rrjeti për të shmangur dëmtimet.
KOSTT ka siguruar se do të vazhdojë të informojë rregullisht publikun për gjendjen e sistemit elektro-energjetik dhe veprimet e ndërmarra.
“Me bashkëpunim dhe përdorim të kujdesshëm të energjisë, sigurojmë furnizim të qëndrueshëm për të gjithë”, thuhet tutje në komunikatë.