Edhe për një klub me histori të pasur si Bayern Muencheni, mund të ketë pak raste kur dështimi i fitimit të një trofeu mund të ketë një ngushëllim.
Ndoshta nuk do të ofrojë shumë ngushëllim për Jupp Heynckes, që e mbylli karrierën e tij 39-vjeçare si trajner me një humbje, por pjesa tjetër e njerëzve të veshur me të kuq në Berlin të shtunën mbrëma – si në tribuna ashtu edhe në fushë – mund së paku të reflektojnë se e ardhmja duket e ndritur, shkruan DW, transmeton “Koha Ditore”.
Derisa Ante Rebiq i jashtëzakonshëm vodhi spektaklin në fushë, duke luajtur rol vendimtar me golat e tij në fitoren 3:1 të Eintracht Frankfurtit në finale ndaj Bayernit, ishte Niko Kovaç ai që u përkujdes për mjeshtëri taktike nga vija anësore duke e fituar kështu trofeun e tij të parë të madh si trajner.
Largimi i kroatit për te Bayerni nga vera e këtij viti ka shkaktuar acarim të marrëdhënieve mes dy klubeve dhe zyrtarizimi i tij si trajner i Bayernit ishte shokues për shumë njerëz. Me gjithë hidhërimin e shkaktuar nga largimi i tij, Frankfurti ende është skuadër e Kovaçit, së paku ishte deri të shtunën mbrëma. Siç ka thënë Kevin-Prince Boateng, një nga disa lojtarë të Frankfurtit që i këndelli Kovaç: “Niko nuk ka mundur të largohet në mënyrë më të mirë” ..