KPK-ja dhe KGjK-ja me marrëveshje për shpërndarjen automatike të lëndëve

Prishtinë | 09 Mar 2020 | 10:41 | Nga Arlinda Sejdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Bahri Hyseni dhe Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Skender Çoçaj, kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për ndërlidhjen e sistemeve elektronike të prokurorisë dhe gjykatës dhe për shpërndarjen automatike të lëndëve.

Kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni, tha se gjatë vitit 2019 kanë arritur të regjistrojnë në sistemin SMIL të gjitha lëndët e vjetra. Sipas tij, marrëveshja do të lehtësojë punën e të dy këshillave.

“Gjatë 2019 arritëm të vëmë në zbatim projekton SMIL në të gjitha prokuroritë. Arritëm t’i regjistrojmë të gjitha lëndët e vjetra në SMIL. 64 mijë e 246 ndërsa lëndët e reja u pranuan dhe u menaxhuan nga sistemi SMIL përfshirë edhe veprimet konkrete të prokurorëve”, tha ai.

Ai tha se një hap i rëndësishëm është lansimi i shkëmbimit të të dhënave në mënyrë elektronike nga Policia e Kosovës në të gjitha prokuroritë.

“Transformimi i procesit të punës nga mënyra manuale në elektronike, është një nga synimet tona që do të rezultojë në një sistem prokurorial më transparent më të besueshëm , prokuroritë do jenë me efikase të zgjedhin lëndët”, tha ai.

Ai tha se shpërndarja automatike nga sistemi te prokuroret do të ketë rezultat në largimin e dorës së njeriut në ndarjen e lëndëve.

“Sot bëjmë shpërndarjen automatike nga sistemi te prokurorët, që do të ketë rezultat largimin e çdo dore njeriu në ndarjen e një lënde. Shkëmbimi i të dhënave në mënyrë elektronike nga prokuroria në gjykatë dhe anasjelltas do të mundësojë komunikim të shpejt dhe do të ketë benefite të mëdha duke filluar nga kursimin kohës për dorëzim të lëndëve”, tha ai.

Skender Çoçaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor theksoi se me nënshkrimin e kësaj marrëveshje kanë rritur një standard të transparencës, raporton EO.

“Qysh në muajin e kaluar në të gjitha gjykatat ka filluar të bëhet shpërndarja e lëndëve përmes sistemit SMIL, duke eliminuar ndikimin e njeriut. Të gjitha lëndët do të pranohen në mënyrë elektronike”, ka thënë ai. Ai tha se KGJK-ja është zotuar në përmbushjen e obligimeve dhe implementimin e plotë të sistemit SMIL në gjykata.

Ndërsa, Jens Erik Grondahl nga ambasada norvegjeze në Kosovë tha se do të vazhdojnë të mbështesin sistemin gjyqësorë e prokurorial në Kosovë, ndërsa nënshkrimin e kësaj marrëveshje e pa si hap shumë të rëndësishëm.

“Do të vazhdojmë të mbështesim gjyqësorin e prokuroritë. Ky është hap shumë i rëndësishëm dhe mezi presim të shohim përfitimet. Shteti norvegjez mbetet i përkushtuat ta mbështesë KPK-në dhe KGjK-në”, tha ai.

Të ngjashme