Bordi i Ankesave i Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) ka anuluar vendimin e para dy javëve të kësaj agjencie për Art Motion, me të cilin i kërkohej ndërprerja e transmetimit të programeve të Arena Sport, duke ia lejuar platformës kosovare që të vazhdojë transmetimet pa kufizime.
Pas shqyrtimit, organi që merret me vlerësimin ligjor e vlerësoi si të drejtë ankesën e ushtruar nga Art Motion, kurse vendimin e KPM-së e përshkroi si të pabazuar në ligjet dhe rregulloret në fuqi. Madje, ky bord vlerësoi se vendimi KPM-së ku kërkohet që Art Motion të ndërprerjë transmetimit e programeve të Arena Sport për Kosovë bie në kundërshtim me ligjshmërinë e vendimit, thuhet në një komunikatë shtypi të “Artmotion”.
“Bordi konstaton se pretendimet e palës ankuese (Art Motion), lidhur me gjendjen faktike dhe shkeljet ligjore, janë të bazuara, sepse Komisioni Pavarur i Medieve, me rastin e marrjes së vendimit të kundërshtuar, nuk e ka vërtetuar plotësisht gjendjen faktike, si dhe nuk e ka aplikuar drejt ligjin material dhe atë procedural”, thuhet në shkresën e Bordit të Ankesave të KPM-së.
Përveç vendimit të Bordit për ankesa të KPM-së, që konstaton së Komisioni Pavarur i Medieve ka vepruara në kundërshtim me ligjet në fuqi, situatën edhe më shumë tashmë e qartëson UEFA. Ky institucion e quan plotësisht të rregullt dhe ligjore blerjen e programeve nga Arena Sport, ku transmetohet Liga e Kampionëve dhe Liga e Evropës, si dhe konfirmon të drejtën e Art Motion për t’i shfaqur ndeshjet e tyre në Kosovë.
Gjithashtu, UEFA ka hedhur poshtë pretendimin kryesor të Komisionit Parlamentar për Media të Kuvendit të Kosovës dhe Komisionit të Pavarur të Medieve, ku pretendohej se me transmetimin e Arena Sport shkelej sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës, duke sqaruar se me transmetimin e Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës përmes paketës së Arena Sport, nuk nënkuptohet asnjë shkelje e sovranitetit.
“Fillimisht, dëshirojmë të konfirmojmë se UEFA respekton sovranitetin e Republikës së Kosovës. Siç e dini, Federata e Futbollit të Kosovës është pranuar si anëtare e UEFA në maj të vitit 2016. Kjo ka qenë një nga arsyet kryesore për të udhëhequr procese të ndara për të drejtat e transmetimit në media të për Ligën e Kampionëve të UEFA-s në territorin e Kosovës për herë të parë”, thuhet në shkresën e UEFA-së drejtuar KPM-së. Sipas UEFA-së, gjatë konsultimeve për shitjen e të drejtave në Kosovë, është konsideruar se transmetimi i Ligës së Kampionëve në gjuhën serbe është i rëndësisë sekondare, pasi fillimisht asnjë kompani në Kosovë s’kishte shprehur interesim për blerjen e këtyre të drejtave. Në letër, po ashtu, theksohet se për këtë çështje kanë qenë të njoftuara kompanitë kosovare të cilat kanë garuar për blerjen e të drejtave parësore të Ligës së Kampionëve. “Në vazhdën e takimeve për shitjen e të drejtave për transmetimin e Ligës së Kampionëve dhe Evropa Ligë në Prishtinë, ndërmjet 13-15 shkurt 2018, TEAM i ka njoftuar ofertuesit e mundshëm për dhënien e të drejtave joekskluzive në gjuhën serbe”, sqarohet në përgjigjen e UEFA-së.
Kjo përgjigje e UEFA-së i është dërguar kryetarit të KPM-së, Mujo Feratit, i cili kishte marrë vendim për ndërprerjen e transmetimit të Arena Sport në Kosovë me kërkesë të kryetarit të Komisionit për Media, Nait Hasani.
Art Motion vlerëson se ndonëse me vendimin e Bordit të Ankesave të KPM-së dhe shkresës së UEFA-së drejtësia është vënë në vend, megjithatë zhurma e krijuar artificialisht rreth këtij procesi, fundi i të cilit është ditur që në fillim, ka pasur për qëllim dëmtimin e kompanisë.
“Platformat që ofrojnë shërbime të njëjta në Kosovë, vendimin që tashmë është i pavlefshëm të KPM-së dhe kërkesën joligjore të Komisionit Parlamentar kishin bërë përpjekje për ta njollosur Art Motion”, theksohet në komunikatën e kësaj kompanie.
“Duke u vlerësuar si të dëmtuar pa të drejtë, Art Motion është e vendosur që të ushtrojë secilin mjet juridik në dispozicion, duke filluar nga kallëzimet penale, paditë civile e deri te arbitrazhi ndërkombëtar, në mënyrë që të mbrojë të drejtën e garantuar me Kushtetutë, si dhe me legjislacionin ndërkombëtar, për zhvillimin e aktiviteteve legjitime afariste”.
Për të mos lejuar cenimin e kësaj të drejte të cilën e garanton edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Art Motion bën të ditur se tashmë ka angazhuar edhe një kompani amerikane avokatie me seli në Washington DC në SHBA.
Ndërkohë, edhe pas këtij procesi, sikurse gjatë kohës sa lënda ishte në shqyrtim, Art Motion thotë se do të vazhdojë ta transmetojë kanalin Arena Sport në platformën e saj televizive.
Transmetimi i Ligës së Kampionëve, Ligës së Evropës si dhe shumë ngjarjeve të tjera do të vazhdojë të transmetohet në Art Motion edhe për tri vitet e ardhshme.
Programet e Arena Sport nuk transmetohen vetëm në territorin e Republikës së Kosovës, por edhe ne Slloveni e Kroaci (Shtete te Bashkimit Evropian), Mal te Zi, Serbi, Bosnje e Maqedoni, sqarohet në njoftimin për shtyp.