KPMM paguan 800 euro për një telefon

Prishtinë | 08 Mar 2017 | 15:37 | Nga

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale planifikon të shpenzojë deri në 800 euro për një telefon.

Në njoftimin për kontratë, i publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ për Prokurim Publik thuhet se KPMM planifikon të blejë 3 telefona.

Për blerjen e këtyre telefonave KPMM-ja ka ndarë 2,400 euro.

“Përmes këtij aktiviteti të prokurimit KPMM synon furnizimin me 3 telefona për nevoja te stafit”, thuhet në njoftim.

KPMM-ja ka thënë se këta telefona do të jenë në shfrytëzim të dy anëtarëve të bordit dhe kryeinspektorit të KPMM-së.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe për shumën e planifikuar për blerjen e një telefoni dhe për specifikat e tij.

Në KPMM kanë thënë se telefonat që u përshtaten kushtojnë rreth 800 euro.

“Bazuar në nevojat e KPMM-së për këta telefona kemi bërë një hulumtim paraprak të tregut ku ka rezultuar se telefonat sipas kërkesave të KPMM-së sillen rreth shumës së planifikuar”, thuhet në përgjigjen e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Tre muaj më parë, KPMM kishte nënshkruar kontratë për blerjen e dy iPad-ëve për të cilët pagoi 1,865 euro.

Të ngjashme