Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar listën përfundimtare të votuesve. Sipas listës së certifikuar nga KQZ-ja në mbledhjen e të mërkurës, 1 milion e 872 mijë e 941 shtetas kosovarë kanë të drejtë vote në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 11 qershorit.
Sipas të dhënave, numri i votuesve të rinj është: 155 mijë e 202 votues, dhe atë si në vijim: 118 mijë e 448 votues të rinj që pas Zgjedhjeve 2014 kanë arritur moshën 18 vjeç dhe që do të votojnë për here të pare në Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, 11 qershor 2017.
36 mijë e 754 votues që nuk kanë qenë në LPV 2014, e që mund të konsiderohen si votues të regjistruar për here të pare në Regjistrin Qendror Civil midis dy pale zgjedhjesh, ose votues që janë pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës pas zgjedhjeve të vitit 2014.
Ndërsa, lidhur me përmirësimin e Listës së Votuesve u bën të njohura të dhënat si në vijim: Numri i personave që janë larguar si të vdekur pas zgjedhjeve të vitit 2014 është: 33 mijë e 542.
Numri i Qendrave të Votimit në këto zgjedhje është: 889 (91 QV më shumë se në vitin 2014) me gjithsejt: 2 mijë e 490 Vendvotime (116 Venvotime më shumë se në vitin 2014).
Në këtë mbledhje u paraqit edhe raporti përfundimtar lidhur me periudhën e aplikimit për regjistrim jashtë Kosovës. Gjatë kësaj periudhe, përmes adresës postare të KQZ-së; fax-it; dhe email adresave, janë pranuar 20 mijë e 354 aplikacione për regjistrim: 15 mijë e 118 janë regjistruar si votues të suksesshëm.
Pesë mijë e 236 aplikacione për regjistrim janë refuzuar: 14 aplikues kanë qenë nën moshën 18 vjeçare dhe që nuk e arrijnë këtë moshë as në Ditën e Zgjedhjeve; 118 aplikacione për regjistrim nuk e kanë nën shkruar formularin e aplikimit; dhe 5 mijë e 104 aplikues janë refuzuar pasi nuk kanë plotësuar kriteret juridike për përfshirjen në listën e votuesve jashtë Kosovës.
Në vazhdim të mbledhjes Komisioni Qendror i Zgjedhjeve akreditoi Grupin e Dytë të Vëzhguesve, numri i të cilëve është: 350. Deri më tani numri i vëzhguesve të akredituar nga KQZ-ja është: 373 vëzhgues.
Në fund të takimit, KQZ-ja emëroi edhe Këshillat e Vendvotimeve në 34 komuna, ndërsa anëtarët e KQZ-së u dakorduan që pjesa tjetër (4 komuna) të bëhet në një mbledhje tjetër, gjatë ditës së enjte.
Lista Serbe braktis mbledhjen e KQZ-së
Përfaqësuesi i KQZ-së nga Lista Serbe, Nenad Rikalo, ka lëshuar mbledhjen për arsye që subjekti i tij nuk ka dashur të ketë komisionarë të ndryshëm në zgjedhje, por vetëm të Listës Serbe.
Një kërkesë të tij KQZ-ja nuk e ka pranuar, prandaj kjo ka qenë edhe arsyeja e braktisjes së mbledhjes së KQZ-së.
Sot partitë politike dhe koalicionet garuese në zgjedhje kanë nisur fushatën elektorale. 26 subjekte marrin pjesë në zgjedhjet e 11 qershorit 5 koalicione te mëdha, 19 parti dhe dy iniciativa qytetare.