Vlorian Molliqaj, vëllai i Dardan Molliqajt, sekretarit organizativ të Lëvizjes Vetëvendosje, ka shpërndarë një aplikacion në faqen e tij në Facebook, për t’u treguar kosovarëve që jetojnë jashtë Kosovës se si mund të votojnë në zgjedhjet e 11 qershorit.
Por, sipas disa raportimeve aplikacioni i shpërndarë nga Molliqaj nuk është i Komisionit Qendror Zgjedhor, por i bërë nga vet Lëvizja Vetëvendosje, për të marrë të dhënat e bashkëvendëseve që jetojnë në mërgim.
“Mërgimtarë të dashur, aplikimi për regjistrim si votues jashtë Kosovës do të fillojë të hënën më 15 maj dhe do të zgjasë vetëm një javë. Ju lus të gjithë juve që keni nevojë për ndihmë gjatë aplikimit që ta plotësoni këtë formular online (merr vetëm dy minuta kohë) në mënyrë që tua përcjellim informatat dhe t’iu ndihmojmë në këtë proces”, shkruan Molliqaj në Facebook.
Për këtë që ka bërë ai, Komisioni Qendror Zgjedhor ka njoftuar se nuk është i lëshuar nga ky organ, ndaj sipas tyre edhe e kanë dërguar në polici aplikacionin e shpërndarë.
Sipas një deklarate të kryetares së KQZ-së, Valdete Daka, të dhënë për median online “Monitor”, “KQZ ka lëshuar një komunikatë në të cilën është distancuar nga ky formular i cili tani po qarkullon nëpër rrjetet sociale”.
“Formulari jonë është i licencuar nga KQZ dhe ende nuk është në ëeb faqen tonë. Ndërkaq si KQZ e kemi informuar edhe Policinë e Kosovës e cila qysh nga ky moment do të fillon hetimin dhe do t’i ndjek edhe penalisht personat të cilët në emër të KQZ-së kanë lëshuar një formular të rrejshëm”, ka thënë Daka.
Në ndërkohë, deri tani, Vetëvendosje nuk është deklaruar për këtë situatë, e as vet Molliqaj s’ka dhënë sqarime, i pyetur nga komentuesit në Facebook.