Në bazë të gjetjeve nga analiza e dokumentacionit KQZ ka konstatuar se kuvendi i jashtëzakonshëm i mbajtur në shtator të vitit 2016 nga një pjesë e anëtarësisë së Partisë së Drejtësisë, është i jashtëligjshëm.
Burime të Ekonomia Online brenda KQZ-së, thonë se thirrja e kuvendit nuk ka qenë në përputhje me statutin e PD-së.
“Kuvendi i jashtëzakonshëm i thirrur nga disa degë të PD-së nuk ka qenë në përputhje me statutin e kësaj partie. Andaj konsiderojmë se Ferid Agani është kryetar legjitim. Lidhur me të gjeturat KQZ do të informojë së shpejti palët”, thotë ky burim.
Po ashtu Ekonomia Online mëson, se pala tjetër e cila mbajti këtë kuvend e që janë kundër që Ferid Agani të udhëheqë me partinë, do të parashtrojë ankesë në PZAP.
“Të pakënaqurit e PD-së”, më 28 shtator 2016, mbajtën kuvendin e jashtëzakonshëm, në të cilin morën pjesë 112 delegatë, të cilët në mënyrë unanime votuan për shkarkimin e kryetarit Ferid Agani.
Por ky i fundit asnjëherë nuk e njohi këtë kuvend dhe në mënyrë normale vazhdoi të drejtoi këtë parti.