Komisioni parlamentar për Legjislacion ka shqyrtuar kërkesat buxhetore të institucioneve/agjencive që bien në fushëveprim të komisionit, shqyrtimi i propozim-vendimit të Qeverisë për kandidatët për drejtor dhe zv.drejtor të Sekretariatit Ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës dhe shqyrtimi i Raporteve të Komisioneve Kryesore për Projektligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Enis Halimi nga KQZ-ja është ankuar për hapsirën jokomode që ka KQZ-ja e që sipas tij në kohën e zgjedhjeve është e pamundur funksionimi, raporton Ekonomia Online.
“Projektohet një rritje që nuk është e mjaftueshme për të zotuar rregulloren e brendshme që ne provojmë me funksionu, është bërë një lëvizje nga ministria e Financave, në deficit janë 123 mijë euro për me u barazu. KQZ-ja funksionon në ish ndërtesën e Bankës së Lubjanës, është hapësirë jokomode dhe sidomos në kohën e zgjedhjeve është e pamundur më u akomodu, është e pamundur me funksionu në një institucion të tillë”, tha ai.
Halimi tha se 1.5 milionë janë donacion nga BE-ja, por sipas tij kjo shumë është e pamjaftueshme dhe kërkon edhe 1 milion të tjerë në mënyrë që këto ndërtesa të përfundohen.
“Me na nda një pjesë të mjeteve, me i marr edhe 1 milion dhe ta ndërtojmë qendrën e numërimit të rezultateve dhe për ndërtesën e KQZ-së dhe kjo kërkesë inkurajohet edhe nga BE-ja. Çështja buxhetore për barazim me institucione tjera që jemi të njëjta në baza kushtetuese”, tha ai.
Nehat Idrizi nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës tha se nevojitet buxhet shtesë duke shpjeguar edhe vendet për të cilat duhet të ndahet ky buxhet.
“22 milion 288 mijë për 2271 pozita. Buxhet shtesë për dhomën e posaçme 293.297 euro për 28 pozita”, tha Idrizi.
Deputeti i AAK-së, Shkumbim Demalijaj tha se nuk mund të ketë kërkesa afatgjate sepse buxheti ndryshon cdo vit.
“Buxheti është ligj vjetor dhe ndryshon çdo vit, nuk mund të ketë kërkesa afatgjate sepse buxheti ndryshon, ne do ju përkrahim, por mundohemi që brenda draft buxhetit që është që kërkesat të jenë të realizueshme”, tha Demalijaj.
Deputeti, Sami Kurteshi tha se “Agjencioni për ndihmë juridike falas” është më i rëndësishmi sepse ka të bëjë me një prej njerëzve që kanë nevojë për ndihmë dhe u duhet ndihma materiale. Ai tha se duhet ndihmë për klinikën mobile, të shtohet stafi dhe ndihmë për infrastrukturë.
Deputeti, Bilall Sherifi tha se ky institucion ka nevojë për ndihmë sepse ka persona që nuk mund të paguajnë shërbimin civil.
“Me insistu me i rrit kapacitetet e këtij institucioni sepse nuk ka pozitë të vështirë se sa kur njeriu kur ka nevojë të përballet me diçka ligjore dhe juridike dhe nuk ka mundësi të paguaj”, tha Sherifi.
Valon Kurtaj nga Akademia e Drejtësisë së Kosovës tha se për këtë institucion janë aprovuar 76% e kërkesës së tyre.
Bedri Mecini nga Agjencia Kundër Korrupsion kërkoi 5 mijë e 800 euro shtesë, sipas tij kërkesë modeste.
Në fund u formua grupi punues për projekt buxhetin që i parashtruan kërkesat institucionet.
Anëtarët e komisionit kanë shqyrtuar propozim-vendimin e Qeverisë për kandidatët për drejtor dhe zv.drejtor të Sekretariatit Ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.
Aty prapë u propozua Naser Shala për të cilin më parë Kuvendi nuk kishte votuar pro.
Deputeti, Hajder Beqaj tha se do ishte mirë që parlamenti dhe deputetet duhet të vendosin për kandidatin në fjalë.
Për drejtor të propozuar ishin, Naser Shala, Florie Kikaj, ndërsa për zv.drejtor Albiona Maloku dhe Milaim Çekaj.
Albulena Haxhiu tha se është e pakuptimtë nëse një herë kuvendi nuk i ka votuar dhe pse tani duhet të propozohen prapë dhe të dërgohen këta emra në Kuvend.
Këto propozime u shtyn për diskutim dhe votim për mbledhjen e ardhshme.