Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar certifikimin e Listës Përfundimtare të Votuesve 2019 për Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, raporton EkonomiaOnline.
Lista përmban 1, 937, 869 emra të votuesve, me dallim prej 111,733 votues më shumë, në krahasim me Zgjedhjet Lokale të datës 22 tetor 2017, raporton Ekonomia Online.
Anëtari i KQZ-së, Adnan Rrustemi ka njoftuar se numri i qendrave të votimit është 895, derisa katër qendra janë më pak se zgjedhjet e kaluara.
Ndërsa numri i vendvotimeve është rreth 2 mijë e 547.
“Numri i Qendrave të Votimit është tetëqind e nëntë dhjetë e pesë. Katër qendra të votimit më pak se në Zgjedhjet Lokale, të datës 22 tetor 2017, dhe Numri i vendvotimeve është 2 mijë e 547, pra janë 42 vendvotime më shumë se në Zgjedhjet Lokale të datës 22 tetor 2017”, tha ai.
Rrustemi ka bërë të ditur se numri i votuesve të rinj për zgjedhjet e 6 tetorit janë 111 mijë e 733 votues.
“Numri i votuesve të rinj që do të votojnë për herë të parë në Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, më 6 tetor 2019 është: 111 mijë e 733 votues. 87 mijë e 180 votues të rinj që pas Zgjedhjeve Lokale 2017 kanë arritur moshën tetëmbëdhjetë vjeç dhe që do të votojnë për herë të parë në Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës më 6 tetor 2019”, ka thënë Rrustemi.
Ai deklaroi se votuesit që nuk kanë qenë në Listën Përfundimtare të Votuesve mund të konsiderohen si votues të regjistruar për herë të parë.
“24 mijë e 553 votues që nuk kanë qenë në Listën Përfundimtare të Votuesve në Zgjedhjet Lokale 2017, e që mund të konsiderohen si votues të regjistruar për herë të parë në Regjistrin Qendror Civil midis dy palë zgjedhjesh ose votues që janë pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës pas zgjedhjeve lokale 2017”, tha ai.
Rrustemi theksoi se numri i votuesve që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës është 46 mijë e 917.
“Numri i emrave të personave që janë larguar si të vdekur pas Zgjedhjeve Lokale 2017 dhe numri i votuesve që kanë hequr dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës është: 46 mijë e 917”, u shpreh ai.