Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), të enjten ka marrë vendim për pezullimin e partisë politike, Partia Rome e Bashkuara e Kosovës (PREBK) pasi nuk ka mbajtur kuvendin e saj zgjedhor sipas afatit ligjor. Afati i fundit për mbajtjen e kuvendit/konventës zgjedhore për PREBK ka qenë data 6 janar 2024, raporton Ekonomia Online.
Sipas vendimit të KQZ-së, PREBK obligohet që ta mbajë kuvendin e saj zgjedhor në një afat shtesë prej 45 ditësh dhe nëse kjo nuk arrihet, atëherë sipas rregullores për regjistrimin dhe funksionimin e partive politike, KQZ merr vendim për çregjistrim nga regjistri i partive politike në Kosovë.
Sipas Ligjit Nr. 08/L-288 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, të gjitha partitë politike të regjistruara janë të obliguara që të mbajnë kuvendin zgjedhore brenda 6 muajve nga data e regjistrimit të partivë dhe pastaj së paku çdo 48 muaj.
Anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, tha se ky vendim është diskriminim, pasi shkelje të ngjashme ka pasur edhe nga partitë tjera.
“Ky është rasti i disa partive që pezullohet për këtë, një rast e kemi pas me të njëjtat kushte dhe nuk e kemi pezulluar dhe dua ta theksoj se jemi duke bërë diskriminim në rrethana të njëjta për kushte të ndryshme. Kjo është rast klasik i diskriminimit”, u shpreh ai.