Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e radhës ka marrë vendim për zëvendësimin e ish-deputetes së VV-së, Vasfije Krasniqin me Nasuf Bejtën, raporton Ekonomia Online.
Në zgjedhjet e fundit qendrore, Bejta kishte garuar me numrin 69 dhe kishte arritur t’i marrë rreth 5 mijë e 763 vota. Vasfije Krasniqi ka dhënë dorëheqje nga pozita e deputetes së Kuvendit të Kosovës me 21 shtator.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjithashtu mori vendim për pezullimin e partisë politike Stranka Demokratske Akcije (SDA), e cila nuk ka mbajtur deri më tani kuvendin zgjedhor.
Sipas Rregullës Zgjedhore për regjistrimin dhe veprimin e partive politike, subjektet politike janë të obliguara që ta informojnë Zyrën për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim (ZRPPC) se kanë mbajtur kuvendin.
Partia politike Stranka Demokratska Akcije (SDA), e regjistruar më 21 gusht 2000 dhe me kryetar Numan Balic, ka bërë kërkesë për shtyrjen e mbajtjes së kuvendit zgjedhor dhe është miratuar nga KQZ-ja duke i dhënë afat shtesë deri më 18 shtator 2022.
KQZ-ja miratoi rekomandimin e Zyrës për të pezulluar këtë parti politike dhe duke i dhënë një afat shtesë prej 45 ditësh për të organizuar dhe mbajtur kuvendin zgjedhor.