KQZ-ja nuk certifikon listat e VV-së, Nismës dhe AAK-së, kalojnë PDK-ja dhe LDK-ja

Prishtinë | 22 Jan 2021 | 20:29 | Nga Kastriot Kokollari

Nuk janë certifikuar listat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 14 shkurtit të Lëvizjes Vetëvendosje, Nismës Socialdemokrate dhe e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ndërsa listat e PDK-së dhe LDK-së janë aprovuar, raporton Ekonomia Online.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shkaku i mos zëvendësimit të kandidatëve të cilët si plotësojnë kriteret për kandidim nuk i kanë marr votat e nevojshme për t’u certifikuar.

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka zëvendësuar kandidatët në listën e saj të cilët kanë problem me ligjin, që kanë qenë pesë prej tyre.

Nisma Socialdemokrate nuk i ka zëvendësuar 12 prej kandidatëve të cilët nuk i plotësojnë kushtet ligjore.

Ndërsa, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është certifikuar me 11 vota për si subjekt politik, ndërsa me 6 vota nuk është certifikuar lista e saj.

Në anën tjetër, me 10 vota për është certifikuar listat e kandidatëve të LDK-së PDK-së, dhe Listës Serbe për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Anëtari i VV-së në KQZ-së, Sami Kurteshi, tha se do t’i ndjekin të gjitha rrugët ligjore për ankesë.

“Ne do ti ndjekim gjitha rrugët ligjore që janë më dispozicion sipas ligjit. KQZ-ja nuk ka kërkuar me bë ndërrimin e tyre as KGJK-ja nuk ka kërkuar sepse ofron informata për KQZ-në për personat në qoftë se kanë dënime”, tha Kurteshi.

“Ne jemi të bindur që garojmë në zgjedhje, PZAP-ja dhe Gjykata Supreme ka me vendosur në favorin tonë sepse Daka ka treguar që të jetë në dispozicion të PDK-së dhe LDK-së”, shtoi ai.

Edhe anëtari i Nismës, Eshref Vishi, ka thënë se do ta shfrytëzojnë mundësinë e ankesës, dhe sipas tyre Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa nuk do të veprojnë politikisht dhe janë të bindur se do të  marrin pjesë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Subjektet politike që mendojnë se pa të drejtë nuk janë certifikuar kanë të drejtë ankese brenda 24 orëve.

https://vimeo.com/503527155

Të ngjashme