KQZ miraton raportin vjetor të këtij institucioni për vitin 2025

Prishtinë | 27 Pri 2026 | 15:16 | Nga Ekonomia Online

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në mbledhjen e sotme ka miratuar raportin vjetor të këtij institucioni për vitin 2025, raporton Ekonomia Online.

Alban Krasniqi, anëtar i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, tha se raporti përmban pjesë që kanë të bëjnë me procesin parazgjedhor, zgjedhor dhe paszgjedhor.

“Mirë, raporti i punës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Republikës së Kosovës për vitin 2025. Natyrisht, ky raport përmban pjesë që kanë të bëjnë me procesin, po themi, parazgjedhor, zgjedhor dhe paszgjedhor të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Pastaj përmban aktivitete që kanë të bëjnë me përfundimin e këtij procesi dhe fillimin e procesit tjetër që ka qenë ai i planifikuari, pra që ka të bëjë me zgjedhjet lokale, raundin e parë dhe gjithashtu edhe raundin e dytë, si dhe për pjesën që ka të bëjë me organizimin e zgjedhjeve të fundit të 28 dhjetorit 2025.

Gjithashtu, raporti përmban edhe aktivitete të tjera që KQZ-ja ka organizuar si pjesë e përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore në përmbushje, pra, të atyre detyrimeve dhe gjithashtu edhe aktivitete që kanë të bëjnë me bashkëpunimin ndërkombëtar me organizata simotra, po themi, të vendeve të ndryshme dhe pjesëmarrjen e KQZ-së në konferenca apo edhe shkëmbime të ndryshme, përfshirë vëzhgimin e zgjedhjeve në disa prej vendeve dhe sjelljen e atyre përvojave, eksperiencave edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Për fund, raporti përmban edhe pjesën e sfidave, por edhe të rekomandimeve të cilat janë të renditura aty dhe të cilat në njëfarë mënyre janë formalizuar që më parë nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve përmes vendimmarrjes, por që tash ka qenë edhe propozimi im që ato të futen, pra rekomandimet që janë futur aty, kryesisht rekomandime që kanë të bëjnë me ndryshimet ligjore si pjesë, po themi, që i përket realisht në këtë rast Kuvendit, dhe natyrisht varësisht pas zhvillimeve që do të jenë, por edhe vendimmarrjes për t’u parë nëse këto pastaj rekomandime do të merren në konsideratë nga vendimmarrësit, e jo ne që i kemi, i kemi bashkërisht, i kemi, po themi, identifikuar dhe i kemi adresuar.

Natyrisht, pjesë e këtyre rekomandimeve janë edhe, po themi, edhe raportet e monitoruesve dhe të tjerëve që i kanë bërë edhe organizatat e shoqërisë civile, por edhe monitoruesit ndërkombëtarë, vëzhguesit ndërkombëtarë që i kanë paraqitur edhe në raportet e fundit nga BE-ja, po edhe të tjerët që kanë ardhur prej raportuesve apo institucioneve të tjera. Si i tillë, ky raport është shqyrtuar edhe në Komisionin për Administratë Publike, janë propozuar disa ndryshime të vogla dhe përmirësime kryesisht të karakterit teknik dhe gramatikor, dhe aq sa kemi parë, sa kemi lexuar e sa kemi mundur, raporti përmban të gjitha ato që kemi, i kemi theksuar dhe kemi propozuar që të futen që në fillim atëherë, dhe si i tillë konsiderojmë që plotëson kushtet edhe nga aspekti teknik që të miratohet dhe të dërgohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha Krasniqi.

Sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, KQZ-ja i përgatit Kuvendit të Kosovës një raport vjetor, në muajin prill dhe duhet të përmbajë informata lidhur me aktivitetet e KQZ-së dhe rekomandimet që KQZ-ja i sheh si të përshtatshme që të trajtohen në Kuvend.

Rregullorja Zgjedhore për votimin, numërimin në vendvotim dhe menaxhimin e vendvotimit është ndryshuar vetëm në një pikë. Ndryshimi ka të bëjë me saktësimin e dokumenteve që mundësojnë votimin me asistencë. Sipas rregullores, votuesi me aftësi të kufizuara që nuk është në gjendje të shënojë ose ta hedhë fletëvotimin, dhe kjo dëshmohet me dokumente mjekësore të lëshuara nga specialistë përkatës (si vërtetim, raport mjekësor, dokument apo librezë nga ministria përkatëse), ka të drejtë të ndihmohet nga një asistues i zgjedhur prej tij brenda të njëjtës qendër votimi, në përputhje me procedurat e Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Alban Krasniqi, anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka njoftuar që personat me aftësi të kufizuar janë përfshirë në rregullore për votim.

“E drejta e votës dhe fshehtësia e votës. Ku është shtuar një, po themi, është plotësuar kjo si pikë, si paragraf: votuesi me aftësi të kufizuara i cili nuk është në gjendje të shënojë apo të hedhë në fletëvotim. E kjo aftësi e kufizuar dëshmohet përmes dokumentit që është pjesë tash mjekësore, të lëshuar nga specialisti i fushës përkatëse, prapë vërtetimin mjekësor, dokumentin apo vërtetimin e lëshuar nga ministria përkatëse që e kategorizon këtë veçanërisht. Rastet që kanë të bëjnë me fitimin e të drejtës nga Ministria e Financave, që i fut në kategori të caktuara që vijnë pastaj te KQZ, mund të ndihmohet nga një person tjetër, asistuesi, nga qendra e votimit i zgjedhur nga votuesi, duke ndjekur procedurat e mëparshme. Pastaj të tjerat janë ashtu siç janë menaxhuar. Edhe këtu është bërë teksti më shumë te dokumentet mjekësore, të cilat nuk kanë qenë të specifikuara dhe njerëzit kanë pasur dilema pastaj”, tha Krasniqi.

Ilir Gashi, anëtar i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka theksuar se ekziston një boshllëk serioz në bazën ligjore lidhur me trajtimin e qytetarëve që nuk dinë shkrim-lexim dhe ushtrimin e së drejtës së tyre për votë.

“Kemi menduar që do të duhet me trajtu, sepse kemi vështirësi në bazën ligjore sa i përket personave të cilët nuk dinë shkrim-lexim. Për të cilët nuk ka dokument që lëshohet nga asnjë institucion i shtetit të Kosovës, dhe ata nuk mund ta dëshmojnë problemin e tyre të cilin e kanë. Dhe ne, a priori, ia mohojmë të drejtën kushtetuese një qytetari që nuk di shkrim-lexim për ta ushtruar të drejtën e vet të votës. Qysh do të duhet të arrijmë në një dokument në mënyrë që mos t’i mohohet e drejta? Kur e merre për bazë fenomenin, ndoshta mund të ketë edhe më shumë, sepse ka njerëz që nuk deklarohen, pra mund të jetë edhe më i madh ky numër. Shpresoj që të jetë më i vogël, por qysh do ta trajtojmë me ditën e diel kur do të ballafaqohemi me njerëz që vijnë? Sepse, qoftë edhe një qytetari po t’i mohohet e drejta për votë apo i ndihmohet atij, atëherë ne bëjmë shkelje. Prandaj, sepse ligji aktualisht që e kemi mundëson asistencën, edhe nëse lexohet saktë, mundëson edhe votimin në emër të tij apo diçka të tillë. Kështu që, është mirë ta shohim këtë broshurë apo këto udhëzime, dokumente që mund të merren pastaj për ta trajtuar këtë çështje. Unë hezitoj edhe sa i përket ndryshimit në rregullore nëse kjo çështje nuk është e përfshirë, ose të paktën koha sa na ka mbetur. Por mendoj që duhet pasur parasysh se kemi një kontingjent të qytetarëve të Republikës së Kosovës që mund t’u mohohet e drejta për votim”, tha Gashi.

Të ngjashme