KQZ: Votuan 429.736 qytetarë me të drejtë vote

Prishtinë | 09 Nën 2025 | 19:46 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, njoftoi se procesi i votimit në 18 komunat ku u mbajt raundi i dytë zgjedhor ka përfunduar në orën 19:00. Sipas tij, votimi është zhvilluar në mënyrë të qetë dhe pa incidente që do të vinin në dyshim integritetin e procesit.

Bazuar në të dhënat preliminare nga 99% e vendvotimeve, kanë votuar 429,736 qytetarë, që përbën 32.64% të votuesve me të drejtë vote. Në raundin e parë, pjesëmarrja ishte 38.91%.

“Ju njoftojmë se duke u mbështetur në informacionet e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, procesi i votimit ka përfunduar në orën 19:00. Nga raportimet që kemi pranuar gjatë gjithë ditës nga komunat ku është zhvilluar procesi zgjedhor, vlerësojmë se votimi është zhvilluar në mënyrë të qetë  dhe deri në mbylljen e vendvotimeve nuk janë raportuar raste apo ngjarje që do të mund të vinin në dyshim besueshmërinë, integritetin apo ecurinë e përgjithshme të procesit zgjedhor. Në emër të KQZ-së, falënderojmë institucionet për angazhimin e tyre në mbarëvjtjen e procesit zgjedhor, si: Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë e Shtetit. Duke u mbështetur në të dhënat preliminare që kemi pranuar nga rreth 99% e Vendvotimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 19:00 është 429 mijë e 736 votues apo 32.64%, nga  1 milionë e 316 mijë e 672 votues”, deklaroi Radoniqi.

Deri në të njëjtën kohë, në raundin e parë, në këto 18 komuna, kishin votuar 38.91% apo 512 mijë e 160 votues nga 1 milion e 316 mijë e 129 votues. Aktualisht në vendvotime është duke u bërë numërimi i fletëvotimeve dhe në disa prej tyre veç ka përfunduar ky proces, andaj në platformën e KQZ-së tani do të fillojë publikimi i rezultateve preliminare. Numërimi është është një hap kyç në përmbylljen e ditës së zgjedhjeve dhe zhvillohet sipas procedurave të përcaktuara me ligj dhe rregulloret e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. U bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve që të veprojnë me përgjegjësi, profesionalizëm dhe paanshmëri, duke respektuar në përpikëri të gjitha procedurat ligjore dhe rregullat zgjedhore, në mënyrë që vullneti i qytetarëve të garantohet dhe të mbrohet plotësisht. Për fund, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve informon se nga ora 19:00 ka filluar afati 48 orësh për paraqitje të ankesave në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, lidhur me procesin e votimit të sotëm”, ka shtuar ai.

Të ngjashme