Shkrimtari Mehmet Kraja ka shprehur qëndrimin e tij kundër bashkimit të Shqipërisë me Kosovën. Ai tha se Kosova nuk mund të jetë një provincë e Shqipërisë.
“Kosova asnjëherë nuk ka qenë provincë, nuk arriti të bëhej. Tani më pak se çdo herë tjetër mund të jetë dhe mund të bëhet provincë e Shqipërisë. Që nga dita kur u shpall pavarësia Kosova nuk bëhet provincë e Shqipërisë dhe nuk duhet të shihet si e tillë. Se çfarë ndodh pas 20 viteve në politikë, nuk dihet, por dimë një gjë: Të fusësh në opsion çështjen e bashkimit kombëtar me një lloj aneksimin të Kosovës është no sens, nuk bëhet kjo, nuk do të ndodhë. Është të harxhosh energji dhe të flasësh marrëzira”, tha Kraja në Oranews.
Kraja kritikoi Ramën, i cili ka shpallur Serbinë si partner strategjik.
“Aty u shpall Serbia si partner strategjik i shqiptarëve. Kjo është ajo fjalia e famshme dhe fatkeqe e atyre mbledhjeve, sepse ndonjëherë thuhen gjerat në mënyrë të pamenduar dhe banale. Serbia nuk mund të jetë partnere. Një shtet që ka luftuar shqiptarët në të gjitha format deri në formën e gjenocidit dhe menjëherë të shpallet si partner strategjik, kjo ishte një gjë absurde. Ti thuash kosovarëve këtë gjë në shtëpinë e tyre, është ti fyesh”, përfundoi ai.