Kraja u reagon kolegëve të Akademisë e merr përgjegjësinë për tekstin që shkaktoi reagime

Prishtinë | 23 Dhj 2022 | 17:18 | Nga Ekonomia Online

Kreu i Akademisë së Shkencave të Kosovës, Mehmet Kraja ka reaguar menjëherë pas deklaratës së lëshuar nga Seksioni i Shkencave Shoqërore të ASHAK-ut lidhur me tekstin e publikuar “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor.

Kraja ka folur për mbledhjen e daës 17 janar të vitit 2022 që edhe përmendet në reagimin e Seksionit të Shkencave Shoqërore të ASHAK-ut, duke pretenduar se në atë mbledhje janë dhënë disa qëndrime për tekstin.

Siç shkruan Kraja, Justina Shiroka-Pula e ka përkrahur si iniciativë dhe se ia ka përcjellë kryetarit disa sugjerime,  Luan Mulliqi e kishte mbështetur dhe kishte kërkuar të publikohej menjëherë. Ndryshe nga dy të parët, Sabri Hamiti e kishte konsideruar tekstin si politik dhe kishte shprehur rezervat e tij për shpërndarjen.Gjylieta Mushkolaj e Fetah Potvorica kishin dhënë sugjerime që teksti të plotësohej me referenca.

Ndërkohë Rauf Dhomi dhe vetë Mehmet Kraja kishin kërkuar që ai të publikohet.

Tutje Kraja ka shkruar se në faqen e Akademisë për arsye teknike, mund të jetë shfaqur versioni, siç thotë ai, i pa redaktuar por se tashmë në faqen zyrtare të ASHAK-ut qëndron teksti përfundimtar i autorizuar.

Kraja në fund thotë se meqë qëllim të ruajtjes së institucionit ka kërkuar që në krye të analizës të vendoset emri i ri dhe se e merr përgjegjësinë për secilën shkronjë të vendosur në analizë.

 Reagimi i plotë i Mehmet Krajës:

REAGIM NDAJ DEKLARATËS SË SEKSIONIT TË SHKENCAVE SHOQËRORE TË ASHAK-ut

Lidhur me deklaratën e Seksionit të Shkencave Shoqërore të ASHAK rreth tekstit të analizës “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor” e shoh të nevojshme të sqaroj si në vijim:

E para, si kryetar i ASHAK nuk jam në pozitë të imponoj, e as nuk kam imponuar asnjë sjellje arbitrare, përveç se kam kërkuar të shtohet aktiviteti i seksionit, të vendoset ligjshmëri për mbarëvajtjen e punëve në Akademi.

E dyta, lidhur me reagimin rreth analizës “Synimet destabilizuese në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, duhet të saktësoj se me datë 17 janar 2022, në mbledhjen e Kryesisë së Akademisë është diskutuar teksti i analizës dhe, mbështetur në procesverbalin e mbledhjes (nuk mund ta bëj publik pa vendim Kryesie, prandaj duhet ta parafrazoj) është diskutuar teksti i analizës dhe sipas radhës, janë shprehur këto qëndrime:

1. Justina Shiroka-Pula, nënkryetare, e përkrah si iniciativë dhe thotë se ia ka përcjellë kryetarit  disa sugjerime;

2. Luan Mulliqi, sekretar shkencor, e mbështet analizën dhe kërkon që ajo të publikohet menjëherë;

3. Sabri Hamiti, sekretar i seksionit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, analizën e quan politike dhe shprehet i rezervuar për shpërndarjen e saj;

4. Gjylieta Mushkolaj, sekretare e Seksionit të Shkencave Shoqërore, e përkrah iniciativën dhe analizën, duke sugjeruar që ajo të plotësohet me referenca;

5. Fetah Podvorica, sekretar i Seksionit të Shkencave të Natyrës, e përkrah iniciativën dhe analizën, duke sugjeruar që ajo të plotësohet me referenca;

6. Rauf Dhomi, sekretar i Seksionit të Arteve, e mbështet analizën dhe sugjeron që ajo të publikohet menjëherë; 

7. Mehmet Kraja, kryetar, e mbështet analizën dhe publikimin e saj.

Ndonëse nuk kishte obligim statutor (për çfarëdo publikimi është kompetente Kryesia), me propozimin e kryetarit, Kryesia vendosi që teksti i analizës t’u vihet në dispozicion të gjithë anëtarëve të Akademisë dhe me mesazhin e bashkëlidhur iu kërkua anëtarëve që për vërejtjet eventuale të shprehen me shkrim në një afat prej 10 ditësh (24 janar 2022). 

Nga të gjithë anëtarët e Akademisë (38 anëtarë), janë përgjigjur me shkrim dy anëtarë: akademik Isa Mustafa dhe anëtari korrespodent Arsim Bajrami.

Ndërkaq, gjatë publikimit në ueb-faqen e Akademisë, për ndonjë arsye teknike, mund të jetë shfaqur edhe versioni im i paredaktuar i tekstit, por së fundi në ueb qëndron teksti i përfundimtar, i autorizuar.

Në fund, edhe përkundër koncensusit të gjerë mes anëtarëve të Akademisë dhe mbështetjes nga anëtarët e Kryesisë, duke marrë parasysh rrethanat e krijuara, me qëllim të ruajtjes së institucionit, sot kam kërkuar nga shërbimet teknike që të vihet emri im në krye të tekstit analizës në ueb-faqen e Akademisë, që domethënë se unë marr përgjegjësinë për çdo shkronjë të këtij teksti.

Mehmet Kraja

Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës

Të ngjashme