Memli Krasniqi, shef i grupit parlamentar të PDK-së, tha se opozita po vepron kundër interesave të Kosovës dhe po ikin nga përgjegjësit e tyre.
Krasniqi tha se seanca e thirrur nga kryeministri Haradinaj nuk ka përfunduar dhe ajo është shtyrë për nesër në ora dy.
“Na vjen keq që opozita edhe sot e konfirmoi bojkotin në fazën më kritike që e ka Kosova. Besoj që ata do t’i thërrasin mendjes që të bëhet një ekip unifikues. Ata munguan, ikën dhe krejt çka bënë është që disa deputetë erdhën dhe defiluan, ose vetëm u nënshkruan për të marr mëditjet, ashtu siç bëjnë shpesh”, tha Krasniqi, raporton Ekonomia Online.
“Ne mbesim me shpresë që nesër, ose në ditët e ardhshme, do të kemi mbështetjen e opozitës. Në Bruksel nuk do të diskutohet për shtetësinë e Kosovës dhe integritetin e saj”.
Krasniqi ka replikuar me shefin e grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili më herët ftoi qytetarët që ta mbrojnë vendin nga copëtimi.
“Secili prej nesh e dimë se çka kemi bërë kur Kosova ka pasur nevojë. Ai nuk ka qenë i vogël në moshë për ta mbrojtur Kosovën kur është dashur. Nuk ka mbetur Avdullah Hoti me e mbrojtë Kosovën, sepse atë e mbrojnë qytetarët e saj”.
“Nuk ka ndonjë shqiptar në Kosovë që nuk i gëzohet bashkimit të Preshevës me Kosovën. Pse Kosova nuk bën të bëjë kërkesa të mëdha. Pse mos t’i bashkohet Lugina e Preshevës Kosovës”, pyeti Krasniqi.