Krasniqi: Buxheti për bujqësi është dyfishuar, por ende nuk mjafton

Prishtinë | 02 Pri 2017 | 09:30 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Buxheti i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), nga viti 2015, ka pasur një rritje substanciale prej 100%. Ministri Memli Krasniqi, në një interviste për Agjencinë e Lajmeve Ekonomia Online, thotë se kjo rritje e buxhetit ka mundësuar që të ketë një mbështetje më të madhe, duke u bazuar në dy masat kryesore: Në programin e pagesave direke apo subvencioneve dhe në programin e zhvillimit rural apo granteve.

Në vitin 2017, planifikimi është rreth 48 milionë euro; 25 milionë euro për subvencione dhe 23 milionë për grante. Por, ministri Krasniqi thotë se ky fond nuk është ende i mjaftueshëm, duke pasur parasysh interesimin në rritje të fermerëve, sidomos të të rinjve, që duan të hyjnë në këtë sektor.

“Një buxhet për mbështetje direke të fermerëve prej 70 milionë eurosh do të ishte më adekuat, sepse do të krijon mundësi për të mbështetur një numër më të madh të fermerëve aplikues, qoftë në subvencione apo në grante”, ka thënë Krasniqi.

 

Në këtë intervistë, ministri i Bujqësisë flet dhe për tjetërsimin e tokës bujqësore, e cila sidomos në periudhën e pasluftës është shndërruar në tokë ndërtimore, duke u mbuluar nga betoni. Megjithëse është ngadalësuar pak, me trendin aktual në 20 vjetët e ardhshme rreth 10 mijë hektarë tokë do të mbulohen nga betoni.

Ministri Krasniqi flet dhe për sëmundjen gungore të lëkurës, nga e cila ngordhën 1 500 gjedhe gjatë vitit të kaluar. Qeveria kishte marrë vendim për kompensimin e fermerëve që janë prekur nga kjo sëmundje, por ende nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Ai konfirmon se kompensimi i cili është premtuar ende nuk është bërë, dhe për këtë i lë fajtorë Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) dhe Ministrinë e Financave.

Por, ai pret që kjo çështje të zgjidhet “në javët e ardhshme”. “E ritheksoj që kompensimi i fermerëve duhet të ndodhë. Është vendim edhe i Qeverisë. Njëra ndër pikat e këtij vendimi thekson se Qeveria do t’i kompensojë fermerët. Unë pres nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe Ministria e Financave, që këtë çështje ta zgjidhin sa më shpejt në javët e ardhshme”, ka thënë Krasniqi.

Ai gjithashtu ka paralajmëruar mundësinë e kthimit të kësaj sëmundjeje, duke kërkuar që rivaksinimi i gjedheve të bëhet edhe këtë vit, sepse rreziku është potencial. “Na duhet të bëjmë edhe vaksinimin për vitin 2017. Sepse nuk është i mjaftueshëm vaksinimi i vitit të kaluar për të imunizuar gjedhet edhe rreziqet potenciale të këtij viti”.

Në vazhdim, Krasniqi ka folur edhe për tema të tjera, siç janë subvencionimet për bizneset “Start Up”, për kualitetin e grurit dhe miellit në Kosovë etj.

INTERVISTA E PLOTË:

EO: A ka Kosova instrumente të cilat masin cilësinë e miellit të importuar për shkak se përfaqësues nga Shoqata e Bujqve, përkatësisht ata të grurit kanë deklaruar se mielli i importuar të cilin qytetarët e Kosovës e konsumojnë nuk i dihet prejardhja, dhe nuk dihet cilësia e tij?

Krasniqi: Normalisht që ka instrumente të cilat e masin cilësisë edhe ato në baza të rregullta, sepse Agjencia i Veterinës dhe Ushqimit në mënyrë të rregullt dhe të vazhdueshme merr mostra, të cilat i përcjell atje për t’i analizuar, me ç’rast i analizon ato dhe i nxjerr rezultatet që në të gjitha rastet e mostrave të caktuara mund të ndahen nën standardet minimale të lejuara dhe ajo sasi e caktuar e miellit nuk futet në treg. Çështjet që ndërlidhen me tregtimin e miellit mund të kenë, apo mund të ndërlidhen, me karaktere të tjera që nuk ndërlidhen me Ministrinë e Bujqësisë, por që ndërlidhet me aspektet tregtare qoftë të kompetencave të Doganës apo Agjencisë së Ushqimit, e cila për fat të keq nuk është nën kompetencat e Ministrisë së Bujqësisë. Por e vërteta është që ka kontrolle jo vetëm për importin, por edhe për prodhimin e brendshëm.

EO: Në Kosovë këtë vit janë mbjellë 20 mijë hektarë më pak grurë se viteve të tjera. Dhe fermerët thonë se kjo ndodh për shkak se po i sfidon mielli i importuar dhe nuk janë konkurrentë në treg?

Krasniqi: Kosova nuk është shumë konkurrente në prodhimin e drithërave. Ne kemi një sipërfaqe të tokës bujqësore të limituar. Gjithë sipërfaqja e punueshme në Kosovë mund të jetë rreth 430 mijë hektarë dhe në ballafaqohemi me konkurrencë me vendet, të cilat mbjellin ndoshta rreth 1 milion, 2 milionë hektarë me grurë, dhe është shumë e vështirë që të konkurrojmë në kuptimin e çmimeve me vendet të cilat krijojnë një shkallë të madhe të ekonomisë dhe një sasi shumë më të madhe sesa ne, që ta zëmë që mund të kenë interes për të shitur këtë produkt të tyre edhe për përfitime më të vogla, për shkak se sasia ia mundëson një përfitim total më të madh. Arsyeja tjetër pse njerëzit mund të mbjellin më pak ka të bëjë me tranzicionin nga kulturat tradicionale, po e quaj kushtimisht në jotradicionale, e që është shumë pozitive për bujqësinë. Sepse përfitimet tek drithërat janë shumë më të vogla sesa përfitimet tek zëmë nga pemët ose perimet.

EO: Vitin e kaluar, Kosova u ballafaqua me sëmundjen gungore të gjedheve, me ç’rast fermerët u dëmtuan goxha. Ju keni premtuar të kompensoni fermerët të cilëve u kanë ngordhur gjedhet nga kjo sëmundje. Sa keni arritur t’i kompensoni?

Krasniqi: Kemi propozuar në Qeveri vendimin për kompensim për të gjithë fermerët e prekur. Më vjen keq që nuk është në kompetencat direke tona për arsye se ne do ta parashihnim buxhetin tonë dhe pastaj deri tash do të bëhej kompensimi. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe me Zyrën e Kryeministrit do të ketë mjetet e nevojshme për t’i kompensuar fermerët e vitit të kaluar, fillimisht bazuar në rregullativat të cilat i kanë dhe për raste të sëmundjeve të tjera. Sepse kjo ka qenë sëmundje e re në vendin tonë, edhe për kontinentin në fakt, dhe pastaj të ndahen mjetet edhe për vaksinimin masiv të këtij viti. Neve na duhet të bëjmë edhe vaksinimin për vitin 2017, sepse nuk është i mjaftueshëm vaksinimi i vitit të kaluar për të imunizuar gjedhet edhe rreziqet potenciale të këtij viti.

EO: A mund të përsëriten problemet e vitit të kaluar, kur pati rreth 1 500 gjedhe të ngordhura?

Krasniqi: Rreziqet potenciale gjithmonë ekzistojnë. Deri tash nuk ka asnjë rast të evidentuar në rajon. Por ne këtë nuk mund t’ia lëmë rastësisë, por normalisht unë kam pasur komunikime edhe me Agjencinë e Veterinarisë. Tashmë ka kohë që kam bërë propozime për të ndarë mjete për rivaksinim, ta quaj masiv, i cili do të bëhet. Dua të theksoj që jemi mirënjohës që Komisioni Evropian ka bërë rimbursimin e shpenzimeve, përkundër faktit që ne i kemi paguar fillimisht. Vlerësoj që rivaksinimi duhet të bëhet edhe këtë vit, thjesht si preventivë që të parandalojmë çfarëdo problemi që vjen. E ritheksoj që kompensimi i fermerëve duhet të ndodhë, kjo është vendim edhe i qeverisë. Njëra ndër pikat e vendimit thekson se Qeveria do t’i kompensojë fermerët. Pres që kjo të ndodhë në javët në vazhdim dhe për këtë kompetente janë Agjencia i Ushqimit dhe Veterinarisë dhe Ministria e Financave.

EO: A ju mjafton buxheti aktual për të përmbushur projektet që i keni?

Krasniqi: Ajo që duhet theksuar është se që nga viti 2015 kemi pasur një rritje substanciale të buxhetit të ministrisë prej 100%. Kjo rritje e buxhetit na ka mundësuar që të kemi një mbështetje më të madhe, duke u bazuar në dy masat tonë kryesore. Në programin e pagesave direke apo subvencioneve dhe në programin e zhvillimit rural apo granteve. Ne këtë vit kemi planifikuar përsëri një rritje të kësaj mbështetjeje. Në vitin 2017, planifikimi total është rreth 48 milionë euro; 25 milionë euro për subvencionet dhe 23 për grantet. Nuk janë të mjaftueshme sepse këto konkludime janë nxjerrë nga interesimi konstant, nëse jo në rritje vit pas viti i fermerëve ekzistues, por edhe i të rinjve që duan të hyjnë në këtë sektor, dhe nga kërkesa në ngritje për projekte të reja në programin e zhvillimit rural; po ashtu edhe në rritjen e kërkesave për subvencione. Këtë vit kemi në program 23 milionë euro për subvencione, por realisht kërkesa ka qenë më e madhe dhe ne kemi përfunduar vitin duke paguar mbi 25 milionë.

EO: Në cilat sfida ka kaluar ministria që drejtoni për gjatë këtyre dy vjet e gjysmë. A po zhvillohet mjaftueshëm bujqësia në Kosovë?

Krasniqi: Bujqësia paraqet potencialin më të madh zhvillues së paku në termet afatshkurta dhe afatmesme. Kjo është edhe arsyeja që ne dhe Qeveria, edhe mandatin e kaluar, i kemi dhënë një prioritet dhe një mbështetje financiare më të madhe. Në këto dy vite e gjysmë, ne kemi rezultate evidente. Mund të përmend kultura të caktuara dhe shembujt janë të shumtë. Unë besoj që deri në vitin 2020, fotografia e bujqësisë do të jetë krejt ndryshe, shumë më ndryshe në kuptimin e asaj që këto fusha që ne kemi caktuar po japin rezultate dhe normalisht që rritja e prodhimit në këto fusha ka me pasë një ndikim të drejtpërdrejtë te zhvillimi i përgjithshëm ekonomik. Është shumë i rëndësishëm, po ashtu, edhe krijimi i vendeve të punës, por edhe zëvendësimi i importit, dhe për kultura të caktuara siç janë mjedrat, boronicat, por edhe patatet, edhe disa kultura perimore të ketë vit të eksportit.

EO: Kosova ka tokë pjellore, por kjo tokë a po punohet dhe a po jepet motiv dhe mbështetje që të kemi zhvillim të mjaftueshëm të tokave bujqësore? A ka ferma të cilat janë “Start UP”-e, e të cilave u janë dhënë subvencione?

Krasniqi: Sa u përket subvencioneve ato në mënyrë të drejtpërdrejtë i marrin ata që merren me bujqësi dhe aktiviteteve që janë pjesë e programit të pagesave direke, qoftë edhe në vitin e parë të punës. Meqenëse i përmendët “Start Up”-et, e njëjta vlen edhe për programin e zhvillimit rural. Ne mbështesim “Start Up”-e çdo vit. Për të aplikuar dhe fituar një grant në kuadër të programit të zhvillimit rural nuk është e domosdoshme të jesh fermer “me përvojë”. Ata që nuk e kanë përvojën mund të zotohen për të ndjekur kurse, praktika që bëhen. Realisht një pjesë e madhe e përfituesve kanë qenë përfitues që kanë hyrë në biznes për herë të parë dhe shumë prej tyre janë treguar të suksesshëm. Në fakt kjo lidhet edhe me moshën e qytetarëve tanë, por edhe me të interesuarit që duan të merrem me bujqësi. Një ndër pikat sfiduese që unë e shoh, e që është dallim nga shumica e vendeve jo vetëm të rajonit, por edhe të Bashkimit Evropian, është se fakti i numrit të rinjve dhe të rejave të Kosovës e shohin bujqësinë si një faktor potencial dhe jo më nga një këndvështrim i të kaluarës, në kuptimin tradicional të bujqësisë, por thjeshtë si një biznes dhe si një sipërmarrje, si një aktivitete i cili iu sjell atyre përfitime të mira. Kjo, mendoj, e ka stimuluar modernizimin e bujqësisë brenda këtij potenciali dhe brenda kushteve që ne i kemi. Pastaj fakti që ne i japim ndihma shtesë fermerëve të rinj nën moshën 40-vjeçare, në disa nën-sektorë edhe në pika shtesë në kriteret e konkurrimit, por edhe në financim shtesë të të gjithë përfituesve nën moshën 40-vjeçare.

EO: Sa paraqet shqetësim për sektorin e bujqësisë betonimi i tokës bujqësore. Sa hektarë tokë bujqësore humb Kosova çdo vit?

Krasniqi: Në fakt kjo është më shumë e mitizuar sesa që në realitet. Askush nuk flet për shifra konkrete, por kryesisht japin njëfarë ideje se u betonua toka. Shndërrimi, qoftë edhe i paligjshëm i tokës bujqësore në tokë ndërtimore, pjesa e së cilës më shumë është bërë gjatë kohës së pasluftës, kur nuk ka pasur as korniza ligjore, dhe as kontroll të nevojshëm, kjo mund t’i ketë pasur edhe arsyet e veta sepse njerëzit kanë pasur nevojë edhe të ndërtojnë, të zhvillohen bizneset. Por realisht në vitet e fundit kanë nevojë për një kontroll edhe më të madh. Ligji për Tokat Bujqësore e parasheh se si mund të shndërrojmë një tokë bujqësore në tokë ndërtimore dhe është çështje e aplikuesve potencialë, qofshin ata persona publikë apo juridikë. Ne kemi arritur të krijojmë raporte të mira me shumicën e komunave, por më duhet të them se janë një pjesë e komunave që nuk e respektojnë këtë pjesë të procedurave dhe në këto raste tokat bujqësore të cilat janë të klasit 1 deri në 4, për të cilat duhet të merret pëlqimi i Ministrisë së Bujqësisë ka raste kur nuk e respektojnë një procedurë të tillë dhe e japin lejen për ndërtim në nivel komunal. Por, sipas vlerësimeve më të sakta, në vit mund të shndërrohen rreth 500 hektarë tokë. Ta zëmë që 20 vitet e ardhshme me këtë trend mund të jenë diku 10 mijë hektarë tokë të betonuara, siç po thuhet.

EO: Cilat komuna janë më “problematiket” që nuk e respektojnë këtë procedurë ligjore?

Krasniqi: Nuk do t’i kisha përmend veç e veç, nuk do t’i kisha hyrë në hak askujt sepse realisht ka edhe komuna të mëdha të cilat nuk respektojnë por ka edhe të vogla. Unë gjithmonë në takime me kryetarët e komunave e kam ngritur dhe e ngritë si çështje që së paku kur fillojnë kërkesat procedurale për leje ndërtim gjithmonë të përfshihet klasifikimi i tokave prej 1 deri në 4 dhe e njëjta kërkesë të dërgohet edhe tek ne në mënyrë që të merret konfirmimi apo edhe ndalimi i Ministrisë së Bujqësisë.

Të ngjashme