Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tha se vendimi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së jugut për hapjen për qarkullim të urës mbi lumin Ibër ndodhet ende në trajtim në ministri, raporton Ekonomia Online.
I pyetur nëse çështja e hapjes së Urës së Ibrit do të diskutohet në procesin dialogues në Bruksel, siç ka pretenduar javën e kaluar emisari i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak, ministri Krasniqi ka nënkuptuar se për qeverinë vlen përgjigja e kryeministrit.
Krasniqi këto komente i bëri në një deklarim për media pas përfundimit të takimit mes përfaqësuesve të qeverisë dhe Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK).
“Vendimi është marrë nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës, aktualisht është në trajtim në Ministrinë tonë, kurdo që të përfundojë vlerësimi i ligjshmërisë së aktit ne do e dërgojmë te instancat tjera”,
Krasniqi ka thënë se brenda takimit mes qeveritarëve dhe kryetarëve të komunave, është shprehur pajtim për trajtimin e çështjes së të hyrave vetanake.
“Sa i përket të hyrave vetanake, ministri i Financave në emër të qeverisë e hapi derën për zgjidhjen e kësaj çështje, sepse ne faktikisht po e implementojmë një amandament të miratuar në kuadër të Ligjit për Buxhetin. Nëse duhet të ndryshohet ky amandament, ministri edhe një herë sot u kërkoi kryetarëve të komunave që të bëjnë kërkesë dhe ajo do të trajtohet”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi, ka thënë se Kuvendi i Komunës së Mitrovicës së Veriut ka dërguar informacione në ministri se të premten do të organizohet seanca për betimin e kryetarit.
“Nuk digjet mandati i kryetarëve dhe asamblistëve të komunave, janë të parapara afatet ligjore që janë tri herë nga 15 dhe mandej prej momentit kur konstituohet Kuvendi fillon rrjedha e afatit prej 30 ditësh, për dhënien e betimit të kryetarëve të komunave. Me ta jemi dakorduar individualisht që me secilën komunë do ta organizojmë seancën e betimit të kryetarit dhe aty ku ka nevojë edhe të konstituimit të Kuvendit. Kuvendi i Komunës së Mitrovicës së Veriut ka dërguar informacione në MAPL që të premten do të organizohet seanca për betimin e kryetarit dhe gjithçka do të jetë në proces të organizimit në mes Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, në sallën e Kuvendit Komunal aty ku e kanë vendin asamblistët dhe kryetari i komunës”, tha ai.
