Si pjesë e procesit konsultativ me palët e interesit për zgjerimin e listës së produkteve për prokurim të përbashkët, Ministria e Financave ka mbajtur sot takim me përfaqësuesit e Agjencisë Qendrore të Prokurimit (AQP) dhe përfaqësuesit e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), ku u diskutua për ndryshim-plotësimin e Udhëzimit Administrativ për zbatimin e procedurave të Prokurimit Publik të Përbashkët/Centralizuar, dhe me këtë rast u prezantuan kategoritë e reja që planifikohet t’i shtohen listës së prokurimit të përbashkët.
Zëvendësministri i Ministrisë së Financave, Agim Krasniqi, bëri të ditur se me këtë takim po vazhdohet avancimi prokurimit të centralizuar, duke shënuar kështu përparime të vazhdueshme në prokurimin e publik të përbashkët.
“Krahas kësaj, ne që nga viti i kaluar kemi filluar edhe me implementimin e platformës elektronike të E-Prokurimit, ku zbatimi në nivelin qendror ka filluar në fund të vitit të kaluar, ndërsa për nivelin komunal ka filluar në janar të këtij viti. Kjo formë e prokurimit siguron nivel më të lartë të transparencës dhe efikasitetit në shpenzimeve publike”, shtoi zëvendësministri Krasniqi.
Ai bëri të ditur se që nga viti 2015, janë në program me Fondin Monetar Ndërkombëtar, program ky që na siguron qëndrueshmëri fiskale dhe financiare.
Sipas tij, me zgjerimin e kësaj liste ne përmbushim edhe një kriter të marrëveshjes që kanë me FMN-në, marrëveshje kjo e cila na mundëson një siguri më të madhe qoftë në aspektin e stabilitetit financiar qoftë në atë të ndërmarrjes së reformave.
“Rrjedhimisht, në kuadër të këtij programi, ne kemi një Memorandum për Politikat Ekonomike dhe Financiare, në të cilin janë të përcaktuara kriteret që duhen përmbushur nga ana jonë, ku përfshihen edhe kriteret e përcaktuara për zbatim të reformave në fushën e prokurimit”, shtoi zëvendësministri Krasniqi.
Ai gjithashtu bëri të ditur se si pjesë e marrëveshjes me FMN-në, Qeveria e Republikës së Kosovës ka arritur të përmbush një mori reformash në fushën e prokurimit.
“Në tetor të vitit 2015 kemi shpallur kontratat për prokurimin e centralizuar që mbulojnë 43 institucione qeveritare dhe agjencitë për disa lloje të prokurimeve, dhënia e kontratave për të cilat është realizuar në tetor të vitit 2016, në mars të vitit 2016 është miratuar, nga Qeveria e Republikës së Kosovës, e që më pas është miratuar edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës, projektligji që e bën prokurimin elektronik të detyrueshëm për të gjitha agjencitë e qeverisë qendrore. Po ashtu, janë plotësuar ulëset boshe në Bordin e Organit për Shqyrtimin e Prokurimit Publik, si dhe në tetor të vitit të kaluar është miratuar, nga Qeveria e Republikës së Kosovës, lista e zgjeruar e mallrave dhe shërbimeve të pranueshme për prokurimin e centralizuar në raundin e ardhshëm të tenderëve”, shtoi zëvendësministri Krasniqi.
Zëvendësministri Agim Krasniqi shtoi se “sipas Marrëveshjes që kemi me FMN-në, përveç kritereve të lartcekura e të cilat janë plotësuar nga ana jonë, kriter tjetër mbetet zgjerimi i listës së prokurimeve të centralizuara, për të qenë në harmoni të plotë me zbatimin e kësaj marrëveshje. Si rezultat, janë dhënë propozimet që kjo listë, nëpërmjet ndryshim/plotësimit të Udhëzimit Administrativ për Zbatimin e Procedurave Qendrore të Prokurimit Publik, të zgjerohet me 4 kategori të mallrave dhe shërbimeve, të cilat janë: Blerja e veturave, marrja me qira e veturave, Furnizim me mobileje, si dhe Shërbimet e shtypit të publikimeve”.
Gjatë këtij takimi zyrtarët e Agjencisë Qendrore të Prokurimit, prezantuan rezultatet e analizave dhe arsyeshmërinë e zgjerimit të listës me kategori të reja prokurimi: Furnizimi me vetura dhe automjete tjera, Marrja me qira e veturave, Furnizimi me mobile për zyre, si dhe Shtypja e botimeve për nevoja të Agjencive Kontraktuese .