Memli Krasniqi, gjatë deklarimeve jashtë rendit të ditës në seancën e Kuvendit të Kosovës, tha se për shkak të bojkotit nga deputetët e opozitës nuk po arrijnë të diskutojnë për të gjetur një zgjidhje për gjendjen e krijuar në kuvend.
“Ne jemi në një situatë ku për fat të keq bojkoti që është inicuar nga deputetet e opozitës na ka pru në një momentum ku nuk po mundemi të ulemi e të diskutojmë”.
Ai tha se janë të gatshëm ta përgatisin një rezulotë gjithëpërfshirëse, bashkë me opozitën, raporton Ekonomia Online.
“Ne në mbledhjen e fundit të kryesisë kemi propozuar disa mundësi që dalin nga kjo situatë. Kemi ftuar opozitën që të bëhemi bashkë në njërën nga seancat dhe të zotohemi për një platformë të përbashkët. Ne do të ishim jo vetëm të gatshëm, por edhe të kodifikuar që këtë ta bëjmë në një rezolutë të kuvendit, por të jetë një rezolutë më gjithëpërfshirëse”.
“Ne në këtë situatë mendojmë që duhet të largohemi nga inati politik dhe t’i shohim interesat e qytetarëve në këtë moment dhe para vazhdimit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve”.
Krasniqi ftoi deputetët ta harmonizojnë rezolutën e propozuar nga PSD-ja, në mënyrë që të dalin nga, siç tha ai, situatë e bllokimit, raporton EO.
“Ju ftoj që sot të mblidhemi dhe ta harmonizojmë rezolutën e propozuar nga PSD-ja dhe të dalim sot me një rezolutë dhe të dalim nga kjo situatë e bllokimit”.