Haxhi Krasniqi ka përmendur shumë arsye që e bëjnë të lumtur. Ka përmendur faktin që tashmë është kampion evropian në boksin profesionist, që ka përparuar shumë si boksier, që ka mposhtur një boksier të konfirmuar, një ish-kampion bote.
Natyrisht ka përmendur edhe ëndrrën e tij që të bëhet shqiptari i parë me titull të botës në boksin profesionist, shkruan sot “Koha Ditore”.
Pas fitores që e arriti të shtunën mbrëma ndaj rusit Stanislav Kashtanov, ëndrra e junikasit mund të jetë sërish e realizueshme. Lufta e zhvilluar në Bad Toelz të Gjermanisë pos që ishte për titull të kampionit të Evropës në peshën super të mesme, u vlerësua edhe si rast i fundit për 31-vjeçarin që të mbetet në nivelin e lartë, përkatësisht që të kthehet atje.
Dhe Krasniqi shfrytëzoi rastin. Ai është shfaqur boksier dukshëm më i kompletuar se në tri luftërat e kaluara të tij të mëdha. Taktikisht është paraqitur shumë më mirë, ndërsa ka mbajtur nivelin e lartë të përgatitjes fizike që e kishte gjithnjë.