Krasniqi ia kujton Kurtit deklaratën “Kur bëhet fjalë për SHBA nuk pyesim pse por vetëm si”

Prishtinë | 12 Nën 2022 | 14:04 | Nga Ekonomia Online

Analisti kosovar dhe njohësi i zhvillimeve politike, Albert Krasniqi, ka folur për refuzimin që Qeveria Kurti po ia bën kërkesës së Shtetetve të Bashkuara të Amerikës për shtyrjen e vendimit për targat.

Krasniqi ka rikujtuar një deklaratë të kryeministrit Kurti të bërë më herët e ku thoshte se kur bëhet fjalë për Amerikën, Kosova nuk pyet pse por vetëm si, si tregues që kërkesat amerikane nuk refuzohen.

Tashmë siç shkruan Krasniqi, Kurti i ka mbyllur veshët përballë një kërkese të tillë e cila thotë se i është bërë Kurtit edhe privatisht nga Sekretari Antony Blinken.

“Kur Kosova kërkonte ndihmën e SHBA-së që të bëhet pjesë e Programit të Partneritetit për Paqe të NATO-së, Kryeministri Kurti pati deklaruar se “Kosova do të mbetet aleat i besueshëm për SHBA-në, një i tillë që nuk pyet PSE por SI, jo SA por KUR”. Tash kur SHBA-të zyrtarisht, e Sekretari Blinken privatisht, po i kërkojnë Kryeministrit Kurti shtyrje të zbatimit të vendimit për targat, ky ka mbyllur veshët e po injoron lehtësisht kërkesat”, ka shkruar Krasniqi.

Ai tutje thotë se kjo nuk është rruga e duhur për të mbajtur dhe rritur besimin me alëatët. Sipas Krasniqit duhet angazhim i dyanshëm në raporte.
Ai thotë se moskoordinimi me Amerikën ka sjell sinjalin e parë me anulimin e vizitave zyrtare.

“Kjo nuk është rruga e duhur për mirëmbajtjen e aleancave dhe rritjen e besimit. Aleancat funksionojnë kur investimi është i dyanshëm. Kështu, vetëm duke kërkuar ndihmë e mos koordinuar veprimet, për pasojë ka izolimin dhe stagnimin. Hapi i parë veç është bërë me anulimin e vizitave zyrtare.Prandaj zbatimi i vendimit pas dhjetë muajsh është koha e duhur, e koordinimi me aleatët është mënyra më efikase.
Kaq mund të bëjmë!”, ka përfunduar Krasniqi.

Të ngjashme