Nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, është regjistruar si deputet i legjislaturës së VI-të. Pas u regjistruar Krasniqi u shpreh i bindur se koalicioni PAN i ka votat e mjaftueshme për të formuar Qeverinë, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, kuvendi dhe Qeveria nuk do të votohen në të njëjtën ditë, por se votimi i për Qeverinë e re do të bëhet në një periudhë shumë të shkurtë.
Krasniqi pohoi se koalicioni PAN ende nuk ka marrë konfirmim nga Lista Serbe nuk do t’i japin votën për qeverinë e re.
“Ne kemi mbështetjen e mjaftueshme për ta votuar edhe qeverinë dhe besojmë që seanca e të enjtes të rrjedhë mirë dhe shpejt që të vazhdojmë me hapat e ardhshëm që është marrja e Qeverisë. Besoj që me datën 3 do e shini votimin së pari për konstituimin e Kuvendit dhe besoj që pak kohë pas do të votohet edhe qeveria”.
“Nuk besoj që Qeveria do të votohet të enjten, por besoj që duhet ta kemi një periudhë të shkurtër mes seancës konstituive dhe atë për votimin e Qeverisë. Besoj që pjesë e kësaj legjislature do të jetë edhe Lista Serbe, kemi pasur bisedime me ta”, sqaroi Krasniqi.
Sa i përket kandidatit për kryetar të kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, Krasniqi ka thënë se kjo ende nuk është fakt i kryer.
“Kadri Veseli ka mbështetje të plotë, por sot nuk mund t’ua them si fakt të kryer pasi vendimin zyrtar do ta marrim me kohë”, tha Krasniqi.
Ministri në detyrë i Bujqësisë ka lënë të hapur mundësinë të jetë sërish pjesë e Qeverisë nëse një gjë e tillë i propozohet nga koalicioni PAN.