Krasniqi: Kurti nuk ka opsion tjetër përpos që t’i japë LDK-së ato që kërkon

Prishtinë | 22 Jan 2020 | 08:29 | Nga Ekonomia Online

Profesori universitar dhe njohësi i çështjeve politike, Milazim Krasniqi ka folur për përpjekjet që po bëjnë Lëvizja Vetëvendosje (LV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) për arritjen e një marrëveshje për ta formuar qeverinë. Ai thotë se Albin Kurti është në duart e Isa Mustafës dhe të LDK-së.

Krasniqi në një intervistë për gazetën “Epoka e re” ka thënë se lëvizjet e deritashme politike të Albin Kurtit dhe të partisë së tij nuk janë krejtësisht racionale. “Ndërsa tash që Albin Kurti është dekretuar si mandatar, hapësira për lojëra dhe presione i është kufizuar. Tash ai vetë është nën presion. Nëse LDK-ja nuk i përgjigjet pozitivisht, ai thjesht nuk mund të bëhet kryeministër. Kjo i bie saktë ashtu siç pati deklaruar Lutfi Haziri, që kandidatura e Kurtit kalon nëpër zyrat e LDK-së”, ka thënë Krasniqi, duke shtuar se Kurti dhe LV-ja tashmë nuk kanë asnjë opsion tjetër përpos që t’i japin LDK-së ato që i kërkon, ose ta humbin shansin që Kurti të bëhet kryeministër.

Profesori Krasniqi ka thënë se detyra e presidentit Hashim Thaçi është të gjejë mundësi që vendi të mos shkojë në zgjedhje të panevojshme, të cilat jo vetëm sekushtojnë shumë para, por edhe humbasin shumë kohë.“Pra, unë konsideroj se ka mundësi të formohet një qeveri edhe pa Kurtin e pa LV-në, por për këtë duhet që edhe LDK-ja t’i heqë vijat e kuqe naive që i ka vendosur pa pikë logjike politike”, është shprehur ai.

Krasniqi nuk e përjashton mundësinë e ndërhyrjes sëfaktorit ndërkombëtar, sidomos të ShBA-së, për tëndihmuar në formimin e institucioneve të reja. “Më së miri do të ishte të arriheshin marrëveshjet pa ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar. Kjo do të shënonte njëfarë pjekurie të elitës sonë politike. Por, nëse nuk e kanë arritur atë pjekuri, më mirë është të na ndihmojnë ndërkombëtarët sesa të përfundojmë në kolaps dhe në anarki. Por cilët ndërkombëtarë? Personalisht mendoj se mund të ndihmojë vetëm administrata  e ShBA-së, e cila është sponsorja jonë dhe vetëm ajo e ka një qartësi strategjike lidhur me Kosovën. Jo ‘Sorosi’ e kampanja të ngjashëm me të, të cilët kanë projekte okulte ndaj Kosovës e shqiptarëve”, është shprehur ai.

Në rast se nuk do të ketë formim të qeverisë së re, Krasniqi parasheh trazira sociale. “Rreziku nga futja në kolaps tashmë është evident. Meqë në mars mbyllet qeveria, atëherë është e qartë se bllokohet i tërë sektori publik, por në atë rast bie edhe konsumi, pra dëmtohet rëndë edhe sektori privat. Përtej kësaj mund të ketë trazira sociale, të cilat, në një vend që nuk ka qeveri efektive, zor se mund të kontrollohen”, ka deklaruar Krasniqi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme