Presidenti Hashim Thaçi ka bërë të ditur se Dekretin Presidencial me emrin e kandidatit për Kryeministër e ka dërguar në Kuvendin e Kosovës.
Thaçi potencoi se ky është hap i rëndësishëm për formimin e institucioneve të reja.
Pas këtij hapi të presidentit në afat prej 15 ditësh, LVV-ja dhe LDK-ja e kanë rrugën e hapur për të arritur marrëveshjen për bashkëqeverisje.
Nëse kjo nuk arrihet, njohësi i çështjeve politike, Milazim Krasniqi i tha Ekonomia Online se presidenti do ta gjejë një kandidat të një partie që ofron 61 deputetë dhe ta formojë Qeverinë, siç njoftoj ai, kjo është rruga e vetme ligjore.
Alternativë tjetër sipas tij, është formimi i një qeverie gjithëpërfshirëse ose teknike, pasi vendi mund të bllokohet në muajin mars.
Krasniqi thotë se këto dy subjekte politike nuk kanë më kohë për video-lojëra, por të bëjnë negociata dhe oferta konkrete.
“Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje duhet të fokusohen maksimalisht në negociatat me Lidhjen Demokratike të Kosovës, të bëjnë një ofertë që do të jetë e parezistueshme, do të thotë e pranueshme e jo në stilin merre ose lërë ashtu siç po komunikojnë. Atyre tani ju takon që të bëjnë kompromise të nevojshme për të arritur marrëveshjen. Rrugën e kanë të hapur, nuk kanë pengesa, përveç pengesave që po ia vendosin vetë vetës dhe njëri-tjetrit. Ata nuk kanë kohë më për video lojëra por të koncentrohen në debate, negociata në oferta konkrete dhe unë dëshiroj të besoj që do të arrihet brenda këtij afati kohor”, u shpreh ai.
Analisti politik thotë se LDK-ja po e vonon procesin, por vendimet e saj do të jenë unike. Krasniqi theksoi se ekziston rreziku që Isa Mustafa të mospranojë oferta që nuk janë të pranueshme për partinë e tij.
Por, sipas Krasniqit nëse qëllimi i Kurtit është ta përçaj LDK-në, atëherë është gabim i tij se nuk mund ta bëjë.
“LDK sado që vepron ngadalë, tashmë është një parti që ka krijuar një unitet të brendshëm dhe vendimet e saj do të jenë unikë. Pasi që ka përballuar mjaftë turbulenca dhe presione por tani e kanë një qartësi. Nëse Vetëvendosje u ofron ndonjë ofertë që është e pranueshme do ta pranojnë por nëse jo, ka rrezik që ta refuzojnë, pasi nuk guxojnë të bien nën minimumin që e kanë harmonizuar si politik të brendshme të partisë. Nëse Kurti mendon se mund ta përçaj LDK-në bën gabim, sepse ai mund të provokoj ndonjë episod ose largimin e ndonjë personi por jo shantazhojë”.
“Mbase këtij afati duhet të gjendet një alternativ tjetër. Është në diskrecionin e presidentit që ta gjej një kandidat të një partie e cila ofron 61 firma të deputetëve për formimin e qeverisë. Kjo është rruga e vetme kushtetuese dhe ligjore. Kushdo që arrin shifrën ai duhet ta themeloj qeverinë, pasi nuk mund të mbahet peng shteti për kapriqet e askujt. E aq më tepër që vë në pah pabarazi ndërmjet deputetëve. Mbetet të presidenti, ai mund të konsultohet edhe Gjykatën Kushtetuese por përgjegjësia e tij është që të konsultoj partinë politike”, ka thënë Krasniqi duke shtuar se nëse Kurti nuk arrin ta formojë Qeverinë, atëherë duhet t’ia liroj rrugën LDK-së që t’i formojë institucionet e reja.
Andaj thotë ai se ky është shansi i vetëm për Lëvizjen Vetëvendosje, pasi që në rast se vendi shkon në zgjedhje atëherë do të krijohet koalicion tjetër.
“Kurti ka bërë disa veprime që janë vështirë të analizohen. Komunikimi me LDK me video lojëra nuk është rruga e duhur, pasi është mungesë respekti. E ka prish ambientin dhe lojën, e ka ulë nivelin e komunikimit. Por në rast se ai nuk arrin, atëherë LDK nëse e hap lojën dhe i heq vijat e kuqe që i ka vendosur në mënyrë të palogjikshme, atëherë mund të gjendet një hap për formimin e qeverisë me një kryeministër të LDK-së. Versioni tjetër është krijimi i një qeverie gjithëpërfshirëse, ose teknike. Vendi nuk mund të mbetet pa qeveri pasi në mars bllokohet komplet Qeveria dhe vendi”.
“Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje të vetmen shans për qeverisje e kanë tani, nëse bën kompromise të nevojshme. Nëse shkohet në zgjedhje atëherë mund të krijohet koalicion tjetër, PDK-AAK-NISMA-AKR, ose LDK-AAK. Krijohen dinamika të tjera të cilat pamundësojnë që VV të dal e para. Edhe nëse del e para përsëri do të jetë nën shantazh politik për kërkesa siç janë të LDK-së. Ky barrikadim i Kurtit për pozitën e presidentit është jo realist dhe i panevojshëm”, u shpreh Krasniqi për EO.