Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se mbetet shqetësuese puna e Gjykatës Speciale. Ndonëse është votuar në bazë të raportit të Dick Martyt, Krasniqi thotë se ka dalë diçka tjetër, raporton Ekonomia Online.
Krasniqi ka thënë se shqetësimet për të drejtat e njeriut janë evidente, dhe si e tillë duhet të adresohen nga institucionet e Kosovës.
“Kuvendi i Kosovës e ka themeluar Gjykatën Speciale e cila është votuar për diçka tjetër dhe tash po na del për diçka më ndryshe, sepse burimi i asaj ka qenë raporti i Dick Martyt e sot raporti i Dick Martyt nuk është në asnjë pikë. Shqetësimet për të drejtat e njeriut janë evidente dhe unë besoj që duhet të adresohen edhe nga ministrja e Drejtësisë dhe Kuvendi i Kosovës”, tha Krasniqi.
Krasniqi potencoi se shqetësimi që e ka shprehur kryetari i Kuvendit është shqetësimi drejtë dhe të cilën e ka shprehur edhe PDK-ja.
Krasniqi: Marrëveshja për energjinë derivon nga 2015-ta, e cila kundërshtohej nga VV-ja
I pari i PDK-së, Krasniqi, gjatë një vizite në komunën e Vitisës, ka folur edhe për marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për çështjen e energjisë.
Ai tha se kjo marrëveshje është diskutuar nga viti 2015, për të cilën e kishte kundërshtuar Lëvizja Vetëvendosje sa ishte në opozitë.
“E shoh edhe si lajm i mirë edhe si lajm i keq. Lajm i mirë është se përfundimisht kryeministri i Kosovës bashkë me këtë Qeveri po e kuptojnë që ata që e kemi bërë në të kaluarën, që është në dobi të qytetarëve të Kosovës, dhe e shoh si lajm të keq se kundërshtimi i tyre dhe pasiguria e tyre politike e kanë zvarritur procesin 7 vjet. Kjo është marrëveshje që e kemi diskutuar prej vitit 2015 kur e kemi nënshkruar dhe kur është miratuar dhe konsideroj që zbatimi i saj do të mundësoj integrimin e plotë të sistemit energjetik duke përfshirë edhe faturimin e drejtë. Shpresoj që detajet t’i japë Qeveria dhe jo ne”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi ka folur edhe për raportet me Shqipërinë, për të cilat thotë se janë të zbehta.
“Ne kemi bashkëpunim me Shqipërinë dhe mendoj se mbledhjet e qeverive janë momentume të rëndësishme për t’i finalizuar bashkëpunimet mes dy vendeve i cili fatkeqësisht në kuptimin e raporteve politike kurrë nuk ka qenë më i zbehtë andaj pres nënshkrimin e marrëveshjeve përkundër faktit që janë marrëveshje të ricikluara”, tha ai.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka folur sa i përket liberalizimit të vizave duke theksua se për çështjen e Liberalizimit të vizave secili zyrtar i BE-së duhet të jetë i turpëruar për faktin se një dekadë Kosova është duke lobuar për këtë çështje korridoreve të Brukselit.
Tutje, ai tha se është një trajtim i pabarabartë që po i bëhet Kosovës, sepse në asnjë agjendë nuk ka qenë e paraparë një gjë e tillë, andaj edhe i takon qeverisë të merret me këtë çështje.
“Çështja e vizave është nga çështjet që unë mendoj se secili zyrtar i BE duhet të jetë i turpëruar në raport me Kosovën. Kjo është një temë që zvarritemi në korridoret e Brukselit më shumë se një dekadë. Dhe gjithmonë ekziston një arsyetim për ta penguar të drejtën e qytetarëve për të udhëtuar lirshëm në zonën e Shëngenit”.
“Ka trajtim të pabarabartë në raport me Kosovën dhe është konsistent në asnjë agjendë nuk ka qenë e paraparë një gjë e tillë. Dhe konsideroj që është e padrejtë të ngritën shpresat dhe të mos merren vendimet. Besoj se i takon qeverisë të jetë më e angazhuar në këtë agjendë”.