Sipas kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, mënyra e shkuarjes në zgjedhje të reja parlamentare nuk ndikon në rezultatin e zgjedhjeve. Krasniqi tha se vendi ka nevojë që zgjedhjet e reja të mbahen sa më parë, prandaj PDK ka shprehur gatishmërinë që kjo të bëhet e mundur në cilido opsion.
“Kemi preferuar dorëheqjen, por në mungesë të dorëheqjes, apo mocionit për çka duhen votat të cilat ne si opozitë nuk i kemi, ne kemi shprehur gatishmërinë të shkojmë në zgjedhje të reja edhe përmes shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës, sepse kemi konsideruar dhe konsiderojmë që më e rëndësishme është që qytetarëve t’u kthehet mandati i qeverisë, sesa të mendojmë për formalitete të cilat janë ndonjëherë më shumë simbolike, sesa substanciale. Besoj se në Kosovë i kemi provuar të gjitha opsionet, dorëheqjen e kryeministrit, shkarkimin e qeverisë, shpërndarjen e Kuvendit, unë i ftoj analistët që ta bëjnë vlerësimin e tyre, besoj se edhe për këtë ka për të pasur vlerësime të ndryshme se sa e kanë ndikuar format e shkuarjes në zgjedhje rezultatin zgjedhor”, tha Krasniqi.
I pari i PDK-së tha se subjekti që ai drejton sheh mundësi reale që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
“Preferimi ynë ka qenë që Kurti të japë dorëheqje për shkak të problemeve të cilat ia ka sjellë Kosovës në të gjitha fushat, megjithatë në shkurt të këtij viti ne kemi pasur po ashtu një mbledhje të rëndësishme të këshillit drejtues ku e kemi fuqizuar edhe njëherë kërkesën dhe qëndrimin tonë, bile kemi marrë vendime të cilat kanë qenë të ndërlidhura me përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme. Pra për PDK-në diskutimi për zgjedhje jo që nuk është i rastësishëm apo i papritur, por na vjen mirë që kërkesa jonë e shprehur në vazhdimësi dhe në konsistencë nga korriku i vitit të kaluar ka marrë seriozitet” tha Krasniqi.